Skip to content

Afganistan – Qeveria pranon të negociojë me Talebanin për transferimin e pushtetit

Ministria afgane e Punëve të Brendshme njoftoi se negociatat do të fillojnë për transferimin pushtetit/administratës pasi Talebani filloi të hyjë në periferitë e kryeqytetit Kabul të vendit.

Mësohet se militantët hynë në zonën industriale Bagrami, 8 kilometra larg qendrës së Kabulit, dhe në venbanimin e quajtur Dashte Barchi, 5 kilometra larg kryeqytetit.

Zabiullah Mujahid, një prej zëdhënësve të Talebanit, bëri me dije më herët përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Twitter” se ata nuk do të përdorin forcë për të marrë qendrën e kryeqytetit Kabul të vendit.

Mujahid theksoi se nuk do të përfshihen në konflikt (të armatosur) për shkak të popullsisë së dendur të Kabulit, se qëllimi i tyre është ta marrin qendrën e kryeqytetit përmes negociatave dhe se i kanë urdhëruar pjesëtarët e Talebanit që të presin në pikat hyrëse të qendrës së kryeqytetit.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme u kërkoi qytetarëve turq që duan të largohen nga Afganistani, të njoftojnë menjëherë Ambasadën e Republikës së Turqisë në Kabul përmes numrit të telefonit +93 79 782 82 83.

Gjithashtu raportohet se ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfundoi evakuimin e Ambasadës së saj në kryeqytetin afgan menjëherë pasi Talebani filloi të hyjë në Kabul.

Kurse sipas një deklarate të NATO-s, një numër i madh personeli i Bashkimit Evropian u zhvendos në një vend më të sigurt në kryeqytetin afgan.

Pakistani gjithashtu njoftoi mbylljen e kufirit në Torkham, qytet tashmë nën kontrollin e Talebanit.

Bëhet e ditur se ky vendim u mor për shkak të “situatës së jashtëzakonshme” në Afganistan.