Lëvizja talebane ka falur dhe liruar 65 anëtarë të organizatës terroriste DEASH, të cilët më parë u ishin dorëzuar forcave talebane në provincën lindore afgane Nangarhar, pranë kufirit me Pakistanin.

Autoritetet në Nangarhar theksuan se pjesëtarët e DEASH-it ishin dorëzuar te forcat në rrethet Kot dhe Batkot. Ata u dorëzuan me ndërmjetësimin e drejtuesve të fiseve vendase dhe u falën pas pendimit.

Në njoftim thuhet se anëtarët e falur të DEASH-it do të dënohen ashpër nëse sërish marrin armët.

Forcat talebane kanë nisur operacione të gjera kundër terroristëve pas një serie sulmesh terroriste në Nangarhar.

Terroristët e DEASH-it kanë kryer një sërë sulmesh në pjesë të ndryshme të Afganistanit. Një sulm me bombë në fillim të tetorit në një xhami shiite në Sayed Abad vrau të paktën 46 persona dhe plagosi 143 të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re