Skip to content

Afganistan, talibanët marin nën kontroll qytetin lindor Jalalabad

Qyteti i madh lindor i Afganistanit, Jalalabad, pranë Pakistanit, ra sot nën kontrollin e talibanëve me dorëzimin e guvernatorit lokal.

Me rënien e provincës Nangarhar, kryeqyteti afgan i Kabulit aktualisht është nën rrethim nga tri drejtime nga talibanët.

“Qyteti Jalalabad, qendra e provincës Nangarhar, u ‘çlirua’ plotësisht”, shkroi në Twitter zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahed.

“Pak çaste më parë, guvernatori, inteligjenca (selia), shefi i policisë dhe të gjitha objektet u kapën nga ‘Muxhahidët’. Të gjitha mjetet, pajisjet dhe burimet në provincë ranë gjithashtu në duart e ‘Muxhahidëve’, shtoi Mujahed.

Porta veriore e Afganistanit në Azinë Qendrore, Mazar-e-Sharif, ra në duart e talebanëve të premten vonë.

Zyrtarët lokalë thanë për AA se të paktën shtatë kryeqytete provinciale, Mazar-e-Sharif në provincën Balkh, Maymana në Faryab, Sharana në Paktika, Asadabad në Kunar, Mehtarlam në Laghman, Nili në Daykundi dhe Gardez në provincën Paktia u morën nën kontroll të shtunën.

Rënia e qytetit Mazar-e-Sharif dallohet për nga rëndësia e saj strategjike në zemër të provincave veriore. Qyteti është seli rajonale e ushtrisë dhe bastioni kryesor i politikanëve kryesorë si Abdul Rasheed Dostum, Atta Muhammad Noor dhe Muhammad Muhaqiq.

Ndërkohë, në një fjalim të shkurtër televiziv, presidenti afgan Mohammad Ashraf Ghani u zotua dje se do të vazhdojë të mbrojë vendin.