Ministrja për Marrëdhëniet dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) që të lëshojë urdhër arresti kundër zyrtarëve të lartë izraelitë dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili është përgjegjës për vrasjen e grave, fëmijëve dhe të moshuarve në Palestinë.

Në një fjalim në seancën e Parlamentit Kombëtar, ministrja Pandor tha se “Vrasja e fëmijëve, grave dhe të moshuarve nga Izraeli është një veprim që duhet të rezultojë me lëshimin menjëherë nga GJNP-ja të urdhër arresteve për vendimmarrësit kryesorë, përfshirë Netanyahun, të cilët janë përgjegjës për shkeljet e ligjit penal ndërkombëtar”.

Pandor tha se edhe Afrika e Jugut gjithashtu është e tmerruar nga krimet e luftës të kryera në Palestinë, duke u shënjestruar civilët, infrastruktura publike, ndërtesat e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe objektivat e tjerë të pambrojtur.

“Këto veprime na rikujtojnë ne personave me ngjyrë të Afrikës së Jugut përvojat që kemi përjetuar në periudhën e aparteidit”, deklaroi Pandor.

Më tej, Pandor bëri të ditur se personat me ngjyrë të Afrikës së Jugut kanë dalë në rrugë për të shprehur zemërimin dhe shqetësimin e tyre për ato që ndodhin në Palestinë. Ajo po ashtu tërhoqi vëmendjen se pasojat e shkatërrimit të përjetuar në Palestinë janë të tmerrshme.

Ndër të tjera Pandor përsëriti thirrjen e Afrikës së Jugut për një armëpushim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe theksoi se sulmet izraelite shkelin ligjin ndërkombëtar.

Duke vlerësuar se e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten me mënyra ushtarake keqinterpretohen gabim nga disa qarqe, me vetëdije ose pavetëdije për të justifikuar ngjarjet në Palestinë, Pandor u shpreh se “Sistemi ka zhgënjyer popullin e Palestinës”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re