Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Eduart Shalsi ka pasur sërish një episod diskutimi me kreun e LZHK Dashamir Shehi.

Shalsi tha se disa shtete perëndimore kanë shfaqur interes për agjencinë që do të monitorojë administratën duke theksuar se njëri prej tyre ka sjellë edhe një ekip për ta shqyrtuar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shehit i cili me ironi tha se tashmë po kthehemi në model edhe për Europën Perëndimore.

Eduart Shalsi: Janë disa shtete perëndimore, njëri ka sjellë një ekip për ta shqyrtuar. Ka zgjuar interes ky sistem. Mund të vijnë dhe mund të përmirësohen.

Dashamir Shehi: E shikon ne jemi model për Europën Perëndimore.

Shalsi deklaroi se duhet digjitalizim i protokollit dhe raportet mujore për qytetarët, bizneset dhe deputetët.

“Ka dy mënyra për të marrë vesh se çfarë duan qytetarët. Një është sondazhimi i rregullt dhe dy janë raportet ditore. Duhet orientim dhe caktim  i prioriteteve. Merakun e parë e kam te digjitalizimi i protokollit që agjencia të thotë se sa qytetarë janë ankuar dhe për çfarë janë ankuar. Ky rrjet koordinatorësh ka nxitur edhe një proces interesant.

Ka një problem të madh që nga depozitimi i një letre deri te menaxhimi nga institucioni. Për një procedurë leje kishte 24 hallka brenda një institucioni. Është shumë e rëndësishme që aplikimi online të shkojë paralelisht edhe me zgjidhjen e procedimit online.

Duhet që agjencia të bëjë raporte mujore edhe për qytetarët, bizneset dhe deputetët. Konstatoj që ka një mos dijeni të asaj që ndodh me agjencinë. Ne i dimë sfidat dhe problematikat dhe jemi të vetëdijshëm për atë që ajo ka ofruar”, tha Shalsi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re