Skip to content

Agjenda 2030 e Aleancës – Shqipëria mori pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel

-Agjenda 2030 e Aleancës/ Shqipëria merr pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel

Kryeministri Edi Rama përfaqësoi Shqipërinë në punimet e Samitit të NATO-s në Bruksel, ku u miratua Agjenda 2030 e Aleancës.

Sipas protokollit zyrtar të këtij samiti u kryen fotografitë e rastit. Kryeministri Edi Rama pas fotos me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishte pjesë e fotos familjare të liderëve të vendeve anëtare, e cila u bë në respektim të masave antiCovid.

Para fillimit të punimeve të samitit, liderët e vendeve anëtare u njohën me objektivat kryesorë të Agjendës 2030, përmes një videoprojeksioni dixhital.

Më herët, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Ballkani Perëndimor është me rëndësi të madhe për Aleancën.

Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 2009, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

***

-BE heq kufizimet antiCovid-19 të udhëtimit për Shqipërinë

Bashkimi Evropian do të lehtësojë gradualisht kufizimet antiCovid-19 për udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe gjashtë vende të tjera, pas një marrëveshjeje që do të arrihet mes 27 vendeve anëtare.

”Udhëtarët nga SHBA, Shqipëria, Hong Kongu, Libani, Makao, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Tajvani do të kenë më shumë lehtësi për t’u futur në bllok”, tha presidenca portugeze e BE-së për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.

Sidoqoftë, i mbetet secilit shtet anëtar të BE-së të vendosë saktësisht se cilat kërkesa do t’u imponojnë udhëtarëve.

Data e këtij vendimi është ende për t’u vendosur.

Në fillim të pandemisë, të gjitha vendet e BE-së, përveç Irlandës, ndaluan udhëtimet jothelbësore, me përjashtim të disa rrethanave.

Shtetet jo-anëtare të BE-së, Norvegjia, Lihtenshtejni, Zvicra dhe Islanda ishin gjithashtu pjesë e ndalimit të hyrjes për udhëtarët.

Këto tetë vende të miratuara nga ambasadorët e BE-së për udhëtime të lira u shtohen Australisë, Izraelit, Japonisë, Zelandës së Re, Ruandës, Singaporit, Koresë së Jugut dhe Tajlandës.

”Vendimi i së mërkurës do të miratohet zyrtarisht deri në fund të javës”, sipas një zëdhënësi të presidencës portugeze të BE.

***

-PPE uron Bashën për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë

Partitë Popullore Evropiane kanë uruar Lulzim Bashën për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike.

Në mesazhin e PPE thuhet se “do të vazhdojmë më të fortë dhe më të bashkuar betejën për Shqipërinë evropiane e demokratike”.

“Urimet tona të përzemërta për Lulzim Bashën të partisë tonë simotër Partia Demokratike, për rizgjedhjen e tij bindëse si kryetar i partisë. Le të vazhdojmë më të fortë dhe të bashkuar betejën tonë për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe Evropiane”, thuhet në mesazhin e PPE.

Vlen të përmendet se, Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana shpalli të hënën  zyrtarisht kryetar të PD-së, Lulzim Bashën, pas zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.

Në një komunikim me mediat, Gjana tha se Komisioni Zgjedhor në PD ka përmbyllur përgatitjen dhe deklarimin e rezultatit përfundimtar zyrtar.

“…Kemi administruar 76 kutitë e 76 komisioneve të votimit në të gjithë vendin në prani të komisionit janë hapur një dhe nga një kutitë, janë dokumentuar të dhënat në procesverbale. Nga procesverbalet e administruara rezulton që në të gjitha rastet, komisionerët kanë firmosur bashkë me përfaqësuesit e kandidatëve në garë.

Kanë votuar 41 097 anëtarë nga 75 767 anëtarë të regjistruar.

Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413, vota të vlefshme janë 40684 vota. Për Fatbardh Kadillin kanë votuar 781 anëtarë, Edit Harxhin 983, Agron Shehajn 6038, dhe për Lulzim Bashën kanë votuar 32882 anëtarë.

Bazuar në këto të dhëna, Komisioni Zgjedhor në PD shpall zyrtarisht fitues të garës Lulzim Bashën”, tha Gjana.

***

-Antikuarë të rrallë nga Arkiva e Shtetit Shqiptar ekspozohen edhe botime të vjetra në “Osmanishte”

Në mjediset e Kalasë së Tiranës është çelur para pak ditëve ekspozita “Thesare nga Biblioteka e Arkivit”

Të pranishëm në këtë ekspozitë të organizuar nga Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë ishin edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtori i Arkivit, Ardit Bido.

Interesant nga kjo ekspozitë vjen fakti që materialet e ekspozuara deri para një viti ndodheshin të magazinuara në thasët e Arkivës megjithëse vlera e tyre si letrare por edhe historike është e rrallë. Tashmë ato jo vetëm që kanë dalë në dritë por edhe janë bërë pjesë e projektit të digjitalizimit të materialeve me vlerë të arkivit. Tashmë ato mund të aksesohen nga të gjithë nxënësit, qytetarët apo edhe studiuesit e ndryshëm vetëm duke klikuar në faqen e internetit të Arkivit.

Në këto materiale gjenden botime të vjetra që lidhen me historinë, shkencën, botime fetare, letërsinë, fjalori i Sami Frashrit etj., që janë të shkruara në përgjithësi në “Osmanishte” por edhe në “Greqishte”. Këto materiale janë klasifikuar edhe si shumë të rëndësishme ndaj edhe ndodhen këtu në këtë ekspozitë. Këtu do të gjenden të ekspozuara edhe antikuarë që i përkasin vitit 1600.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur disa dy ditë ku mund të shihen thesare që nuk mund të shihen herë tjetër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se e kishte pranuar me shumë kënaqësi ftesën pasi jo vetëm që kalaja e Tiranës kthehet edhe njëherë si një ambient argëtimi por edhe hapësirë që flet për artin dhe historinë.

“Gjithashtu edhe për faktin që këto thesare përçojnë vlera të rralla dhe dëshira që kemi ne për t’i parë. Zbulova që nga Arkiva e Shqipërisë është bërë një punë kolosale gjatë vitit të pandemisë duke nxjerrë në pah një bibliotekë të fjetur prej 30 vjetësh. Tashmë janë të digjitalizuar një numër prej 15 mijë titujsh. Arkiva është kthyer si një hapësirë e hapur dhe jo vetëm ku ruhen vlera dhe kjo është bërë duke afruar sa më shumë kategori të ndryshme për ta vizituar. Edhe ne në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare gjatë pandemisë kemi nxjerrë në dritë thesare të rralla të fshehura dhe që na përkasin të gjithëve ne. Nëse nuk do ta bënim këtë gjë, ne nuk do të kishim bërë punën tonë”, theksoi ajo.

Ndërsa, drejtori i Arkivave, Ardit Bido falënderoi ministren e Kulturës e cila, siç tha ai, ”gjendet gjithmonë krahë ekipit tonë, pavarësisht se ne nuk kemi lidhje administrative”.

“Gjysma e punës së arkivit lidhet me kulturën, kështu që bashkëpunimin  dhe mbështetjen e vlerësoj. Edhe “Kalaja e Tiranës” na ka dhënë një ndihmë për hapësirën që na siguron për punën tonë. Këto antikuarë janë vlerë e kombit tonë e cila ka qenë e fshehur dhe tashmë është e aksesueshme prej të gjithëve. Këto ekspozita kanë vlera të rralla, sepse të magjepsin dhe sjellin sa më afër publikun. Po përpiqemi që t’iu ofrojmë të interesuarve të gjitha materialet të cilat ata kanë interes dhe t’i kenë të disponueshme të gjitha si një “One stop shop”. Ne këtu kemi kopje të cilat janë unike në vendin tonë duke datuar nga shekulli i XVI dhe janë pasuri e veçantë. Jam i sigurt që do të mahniteni sikurse kemi bërë ne kur i kemi parë për herë të parë”, tha Bido

***

-Kryebashkiaku  Veliaj i bën bashkë italianët dhe turqit në Tiranë: Jemi qytet kozmopolitan

“Tirana Fan Zone” në sheshin “Skënderbej” ka bërë bashkë mbrëmjen e të premtes së kaluar jo vetëm dashamirësit shqiptarë të futbollit, por njëkohësisht edhe turqit dhe italianët e shumtë që jetojnë në Shqipëri për të ndjekur përballjen Itali-Turqi.

Në një prej tavolinave ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj bashkë me ambasadorin italian në Tiranë Fabrizio Bucci dhe zv.ambasadoren turke në Shqipëri, Orkide Deniz Akyamaç.

Duke folur për mediat, Veliaj theksoi se pas pandemisë, Tirana i është rikthyer jetës, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po kthehet në një qytet kozmopolitan. “Për mua është shumë e rëndësishme që qyteti është hapur, që Tirana po feston, që është kthyer normaliteti, që vëllezërit turq dhe vëllezërit italianë i kemi të gjithë bashkë. Tirana është një shtëpi sot e mbi 144 kombësive. Dhe fakti që në Tiranë ka italianë, ka turq, ka afrikanë, ka nga Amerika Latine, ka nga Azia, do të thotë që qyteti po bëhet vend kozmopolitan  dhe fakti që ka një vëllazëri është një lajm i mire”, theksoi Veliaj.

Nëpërmjet një ekrani gjigand të vendosur në qendër të sheshit “Skënderbej”, i cili ka marrë pamjen e tapetit të blertë, por edhe në shoqërinë e aktiviteteve të ndryshme, qytetarët do mund të shijojnë 30 ditët e Kampionatit Evropian në një atmosferë fantastike.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-