Nga: Julian_Hoxhaj

Në këto ditë të muajit të Madhërishëm të Ramazanit, besimtarët myslimanë janë duke agjëruar. Për mua, ky është viti i 12 i agjërimit dhe futjes në besim. Jam falenderues Allahut, Krijuesit të pashoq që më ka bërë mysliman. Veç obligimit për të çelu iftar e syfyr shpesh mes agjëruesish, në Shqipëri është kthyer në traditë dhe shtrimi i iftarëve publik për personalitete të ndryshme. Në fillimet e mija në besim, nuk refuzoja asnjë ftesë për Iftar, duke pasur parasysh thënien e Profetit Muhamed a.s se: Kush i jep ushqim për të çelur një agjëruesi, merr të njëjtin shpërblim si agjëruesi, pa e cënuar shpërblimin e agjëruesit. Mirëpo, gjatë të paktën 7 viteve të fundit, muaji i Ramazanit ka qëlluar të jetë kryesisht në kohë zgjedhjesh e fushatash elektorale.
Kjo ka bërë, që Myftinitë apo vetë KMSH, të shtrojnë iftare të panumërta, ku dominojnë jo fytyra të besimtarëve që presin të çelin agjërimin e të falin namazin e akshamit, por njerëz që kanë pak apo aspak lidhje me besimin, agjërimin, islamin dhe obligimin për të përmbushur një nga shtyllat kryesore të islamit. Ndaj, personalisht kam zgjedhur që agjërimin ta kryejë si obligim krejtësisht intim, të marrëdhënies time me Allahun duke shmangur ftesa për iftare ku prezent janë njerëz që nuk kanë lidhje me besimin. Vetes ia njoh për dobësi të mos qenit besimtar i devotshëm, ama mundohem të jem para Allahut besimtar i sinqertë për hir të raportit që dua të kem me krijuesin ( e Lus Allahun të më forcoj në besim).
Tani, e gjithë kjo hyrje e bëra për një arsye të vetme. Në dhjetë ditët e para të Ramazanit të këtij viti, kam parë pafundësi iftaresh të shtruar nga politika apo ndoshta dhe vetë myftinitë dhe KMSH, ku ata që shfaqen e dominojnë këtë ceremonial fetar, janë politikanët. Nuk është e udhës as të aludoj dhe as të kem dyshime për nietin e atyre që shtrojnë apo atyre që çelin iftar pa agjëruar, por shoh me shqetësim se prezenca e politikanëve (në shumicë dërrmuese të majtë, kryesisht kandidatë socialsitë për bashkitë), dashur pa dashur, po shkakton një pakënaqësi të madhe te shumë besimtarë.
Në kohë fushate si kjo e tanishmja, me tensione politike, do të ishte e udhës që komunitetet fetare të mbanin larg shtrimin e iftareve për politikanët. Jo vetëm sepse ata që marrin pjesë ndoshta nuk agjërojnë, por edhe për shkak të kontekstit politik. Si gazetar, si qytetar, si besimtarë, si njeri me ndjeshmëri publike për situata të tilla, kam të drejtën të interpretojë se kjo sjellje e drejtuesit të besimit mysliman në vend po çon në anësi politike për mazhorancën (me qëllim apo jo). Ky mendim, është rrjedhojë e konstatimit në biseda informale me njerëz të besimit apo jo, të cilët kanë shqetësim real për këtë situatë.
Ndaj Komuniteti Mysliman, duhet të marrë masat për të mos lejuar përdorimin e këtij muaji të shenjtë për qëllime propagande dhe fushate kandidatëve të caktuar. Sot myslimanët shqiptarë nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë, fetare, ekonomike, sociale në doni dhe politike. Ndaj duhet patjetër, që nëse shpenzohen para për iftare politikanësh, është mirë që ato të shkojnë për besimtarët, të varfërit, fëmijët jetim, të pamundurit dhe këdo që në këto ditë i është dorëzuar mëshirës së Allahut të madhëruar.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re