Agnes Callamard e Francës, një eksperte e të drejtave të njeriut, është emëruar sekretare e përgjithshme e Amnesty International, organizata me qendër në Londër, e cila ka zyra në më shumë se 70 vende.

“Kombinimi i mendjemprehtësisë së saj intelektuale, përvoja e gjerë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe zëri i saj i guximshëm, e bëjnë atë shumë të kualifikuar për të mbrojtur lëvizjen tonë,” u citua të thoshte Presidentja e Këshillit të Amnesty International, Sarah Beamish.

Callamard do të drejtojë Amnesty International për katër vitet e ardhshme.

Ajo ishte Raportuese Speciale e Kombeve të Bashkuara për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare.

Ajo së fundmi zhvilloi një hetim në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll në tetor 2018.

Disa ditë më parë, ajo deklaroi se kishte marrë kërcënime nga Arabia Saudite për shkak të kësaj, gjë që autoritetet e atij vendi i mohuan.

Në një intervistë me British Guardian, Callamard tha se një koleg nga KB e informoi atë në janar 2020 se një zyrtar i paemëruar saudit dy herë kishte kërcënuar të “kujdesej” për Callamard në një takim me zyrtarë të tjerë të KB.

Në një raport me 100 faqe, botuar në qershor 2019, Callamard deklaroi se vdekja e Khashoggi ishte “një vrasje jashtëgjyqësore për të cilën është përgjegjës shteti i Arabisë Saudite”.

Ajo shtoi se Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman gjithashtu duhet të hetohet për vrasjen.