Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj ka folur mbi detyrën më të re që i është besuar nga Partia Demokratike, atë të nënkryetarit të Kuvendit. Gjekmarkaj u shpreh se 2 ditë para se ky propozim të votohej në Këshillin Kombëtar është ftuar nga kryedemokrati Basha dhe është vënë në dijeni.

Gjekmarkaj u shpreh besimplotë se PD do të ringrihet dhe do t’i prijë demokratët drejt fitores.

“Basha ka një stil tjetër, nuk e vë përballë faktit të kryer, por edhe unë nuk e pranoj faktin e kryer. Nuk e çoj kurrë veten në këtë situatë. Nëse ka diçka që duhet ta pranoj e pranoj dhe e refuzoj po nga bindja ime. Basha më ftoi 2 ditë para Këshillit Kombëtar dhe më pas u votua.

Nuk kam ndjerë asnjë xhelozi. Kam marrë urime, por secili prej kolegëve e di që ky është një moment i vështirë. Komunikimet me të përjashtuarit i kam patur para se të ndodhte 9 janari.

PD do të ringrihet së shpejti do të jetë luftarake dhe kam besim se PD do të udhëheqë demokratët drejt fitore. Sot dikush mund të qeshë por kjo është dialektika e kohës. Ndërsa në Parlament zhvillohet beteja politike”, u shpreh ai.

Po ashtu, Gjekmarkaj deklaroi se ndarja me të shkuarën dhe Berishën e ka bërë Bashën më të fortë.

“Mendoj se e ka bërë më të fortë, më të vetëdijshëm ndaj demokratëve, e ka bërë më të ndjeshëm në raporton me kohën. Është momenti final për tu ndarë nga e shkuara”, tha deputeti i PD.

I pyetur se çfarë mendoi mënjeherë sapo doli nga selia e PD, ditën e protestës së dhunshme, Gjekmarkaj u shpreh:

“Kam menduar dy gjera dhe i kam përcjellë ditë pas ditë. Duket një mallkim i madh politika në Shqipëri, ti mund të hysh me gjithë idealizimin, por nëse dikujt i prish terezinë, ti je peng, je i shitur, je bashkëpunëtor, ja tradhtar, personaliteti yt bie për tokë.

Tjetra që kam menduar është se ndonjëherë poshtërsia njerëzore nuk ka limit.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re