Ish-kandidati për postin e kryetarit të PD-së, Agron Shehaj, i cili humbi përballë Lulzim Bashës shprehet se Partia Demokratike lindi si partia e lirisë dhe mund të bëhet fituese vetëm nëse është e lirë dhe demokratike.

Për të ilustruar denoncimet që bëri ditën e zgjedhjeve brenda partisë në 13 Qershor, ai poston një foto me Enkeleda Çelën, vëzhguesen e tij, të cilën akuzon se e dhunoi drejtuesi i Degës nr. 5.

“Enkeleda Çela është demokrate e orëve të para. Ajo ka luftuar dhe sakrifikuar në çdo zgjedhje për të mbrojtur votat e Partisë Demokratike. Por më 13 Qershor, Enka u dhunua nga Kryetari i Degës nr 5 në Tiranë dhe u përzu nga qendra e votimit vetëm sepse ishte vëzhguese e imja dhe kërkoi të siguronte zgjedhje të drejta brenda partisë sonë.

Shumë demokratë të tjerë më kanë dëshmuar se janë përjashtuar nga e drejta për të votuar. Jam pranë tyre dhe do bëj çdo gjë që mundem që zëri i tyre të dëgjohet. Partia Demokratike lindi si partia e lirisë dhe mund të bëhet fituese vetëm nëse është e lirë dhe demokratike. Me ju, deri në fund” shkruan Shehaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re