Për 4 orë rresht, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani dhe prokurorja Enkeleda Millonai, të ndihmuar edhe nga dy agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i renditën Kuvendit prova dhe fakte që motivojnë sipas tyre arrestimin e ish-zëvendëkryeministrit për aferën e inceneratorëve.

Prokurorët Specialë argumentuan se Ahmetaj, ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja kanë përfituar para, prona dhe pagesa të tjera nga dy investitorët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, duke kryer korrupsion pasiv në 6 raste, si dhe duke fshehur pasuri e pastruar para.

Socialistët e pyetën SPAK-un nëse arrestimi i Ahmetajt ishte i domosdoshëm, dhe prokurorët pohuan se ai rrezikon të prishë provat dhe hetimi i tij duhet të vijojë në burg, njëjtë si disa protagonistë të tjerë të së njëjtës cështje: ish ministri Lefter Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako.

Gjatë pyetjeve në Këshillin e Mandateve  u zbulua edhe një detaj tjetër i rëndësishëm. Avokatët e Ahmetajt konfirmuan se ai është larguar nga Shqipëria, por se nuk e dinin se ku ndodhej, me cfarë qëllimi dhe a do të kthehej më.

Mbledhja do të vijojë këtë të mërkurë pasdite, pasi mbrojtësit e deputetit kërkuan kohë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re