Në kohën kur qeveria akoma nuk e ka shpallur të ashtuquajturën paketë të dytë për ndihmë për biznesin, ministri i caktuar për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, Arben Ahmetaj ka gjetur një zgjidhje për t’i ardhur në ndihmë biznesit fason.
Kështu, ministri Ahmetaj i është drejtuar me anë të letre dy ministrave të Ekonomisë, Stefano Patuanelli të Italisë dhe Peter Altemaier të Gjermanisë, duke i hedhur si ide që veshjet e e specializuara të mjekëve dhe të uniformave të ushtarakëve dhe policisë të realizohen nga firmat e fasonerive në Shqipëri, a thua se nuk ekzistojnë firma të tilla në këto shtete, ku fabrikat e tyre nuk janë mbyllur ende kësaj dite, pavarësisht situatës që po kalojnë.
“Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë përshtatur ciklin e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë, ushtrinë dhe gjithë forcat që sot luftojnë në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm. Bashkëpunimi me vendet partnere, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit duke mundësuar vijimin e aktivitetit, dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre”, shkruan Ahmetaj në rrjetet sociale.
Më tej ai shkruan se “jam i bindur në angazhimin e fqinjëve dhe partnerëve tanë për ta kthyer këtë në një korsi bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, sepse si çdo luftë, edhe këtë mund ta fitojmë vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë!”. Kjo lëvizje mund të cilësohet si një larje duarsh për ministrin, pasi mund të krenohet përpara tyre se e ndërmori një lëvizje, që as ministres së Financave, Anila Denaj nuk i vajti ndërmend t’iu drejtohej homologëve, por ministrit të Covidit dhe Rindërtimit.
Këto manovra të Ministrit Ahmetaj, nuk e ndihmojnë kurrësesi biznesin që po përpëlitet nga kriza financiare e Covid-19.
Gazeta SHQIP raportoi pak ditë më parë, sesi paketa e Ministrit Ahmetaj për ndihmën ndaj biznesit, ishte 4 herë më e vogël se ajo e Maqedonisë. Maqedonia sot ndihmon 250 mijë punonjës me pagë minimale, kurse Shqipëria rreth 60 mijë. Pikërisht këtu është dështimi i parë i Ministrit të Covidit, Arben Ahmetaj, për mos të folur më pas për paketën selektive prej 100 milionë eurosh, që kërkon të fundosë me kredi biznesin e madh.
Lexo më tej:
Video/ Ministri Ahmetaj përtypet kur dëgjon paketën e ndihmës në Maqedoninë e Veriut
