Veprimet e kapitenit të Danimarkës Simon Kjaer janë konsideruar si heroike në median e huaj, fill pas ngjarjes dramatike të ditës së djeshme, ku mesfushori Christian Eriksen u rrëzua në fushë në ndeshjen me Finlandën (Euro 2020).

Eriksen u rrëzua papritur përtokë, ndërsa Kjaer vrapoi drejt tij dhe u sigurua që 29 vjeçarit të mos i shkonte gjuha poshtë.

Photo/ Getty Images

Madje në media shkruhet se ai kreu dhe CPR (ringjallje kardiopulmonare) tek shoku i skuadrës, pak para se të vinte ekipi i mjekëve.

Ishte kapiteni Kjaer, i cili i kërkoi shokëve të skuadrës që të formonin një ‘barrierë’ përpara Eriksen, në mënyrë që futbollisti të kishte sa më shumë privatësi gjatë atyre momenteve ku iu rrezikua jeta.

Photo/ EPA

E përveç të gjitha këtyre momenteve, ishte po sërish kapiteni Kjaer i cili shkoi të ngushëllojë gruan e Eriksen, Sabrina Kvist, e cila zbriti e tmerruar në fushën e futbollit.

Një rol të padiskutueshëm pati dhe ekipi mjekësor, i cili e ‘risolli’ në jetë Eriksen. Drejtuesi i ekipit të mjekëve danezë, Morten Boesen, u shpreh se kur mjekët shkuan pranë, Eriksen nuk kishte më puls.

“Ai kishte ikur. Ne bëmë ringjalljen kardiake, pasi Eriksen kishte pësuar arrest kardiak. Sa afër ishte pranë vdekjes? Nuk di ta them. E sollëm sërish pas një goditje me defribilator”-tha Morten Boesen.

Eriksen tashmë ndodhet në gjendje të stabilizuar në spital. Ka komunikuar me shokët e skuadrës përmes videotelefonatave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re