Gazment Bardhi thotë se rrugët me Lulzim Bashën tashmë janë të ndara edhe pse kanë qenë shum të afërt me njëri tjetrin.
Sipas tij, ajo që po bën Lulzim Basha është jo në dobi të vendit dhe të Partisë Demokratike, por për interesat e tij personale.
“Padiskutim kemi pasur një raport shumë të afërt personal dhe njerëzor, mesa duket zoti Basha nuk mirëkupton dot faktin që për Gazment Bardhin interesi i opozitës dhe PD-së është mbi çdo interes personal. Unë nuk jam në Partinë Demokratike për asnjë emër të përveçëm…
Në këtë moment, ajo që po bën zoti Basha absolutisht është jo në dobi të vendit, jo në dobi të PD-së.
Terësisht për një interes personal, nuk ka asnjë diskutim! Ai ka nevojë të reflektojë, nuk i takon zotit Basha të mbajë flamurin e përçarjes së opozitës. Ia kam thënë privatisht para qëndrimit tim publik, jam përpjekur t’ja shpjegoj që rruga që po ndërmerr nuk e ndihmon PD-në dhe se kemi nevojë për zgjidhje. Ai në rrugën e vet, unë në rrugën time. Nuk bie dakord me atë që po bën, por nuk kam asnjë paragjykim për asnjë çështje”, tha Bardhi në Opinion.
Po ashtu Bardhi deklaroi se mbështet plotësisht deklaratën dhe qëndrimin e ambasadës amerikane për individët e shpallur “non grata”.
“Unë nuk jam bashkuar (me Berishën). E mbështes 100% deklaratën e SHBA. Kam qenë në studio me ju ditën e parë kur është bërë takimi dhe të kam pohuar ekzaktësisht atë që thotë deklarata. Nuk ka asnjë ndryshim të SHBA sa i përket “non gratave” dhe kjo është një çështje që mua më ndan me zotin Berisha. Mes SHBA-së dhe zotit Berisha unë zgjedh SHBA. Mes zotit Berisha dhe Edi Ramës unë zgjedh Sali Berishën sa kohë është opozitar dhe ka besimin e një pjese të popullit opozitar”, tha Bardhi.