Ish-kryeministri Sali Berisha ka përsëritur kërkesën për qeveri teknike, teksa u shpreh se kreu i qeverisë, Edi Rama “nuk e krijon pa ju imponuar”.
Kreu i PD-së u shpreh se qeveria kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve duhet të bëhet normë kushtetuese për Shqipërinë.
“Ne nuk po e kërkojmë vetëm për veten tonë dhe vetëm për këtë radhë, kemi faktuar zgjedhje të lira dhe rotacionin”, deklaroi Berisha.
“Rama nuk krijon qeveri teknike pa ju imponuar. Kërkesa për qeveri teknike, e cila si akt mund ta sanksionohet në Kushtetutë në mënyrë që 3-4 muaj para zgjedhjeve sot e tutje të ketë një qeveri kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve. Këtë e ka Greqia dhe ka parë veçse të mirë prej kësaj. Ne nuk po e kërkojmë vetëm për veten tonë dhe vetëm për këtë radhë, kemi faktuar zgjedhje të lira dhe rotacionin, por kjo të bëhet normë kushtetuese për Shqipërinë”, tha ai.
I pyetur nëse do të garojë në listë të hapur, ashtu si kryeministri Edi Rama, kryedemokrati u shpreh se: “Nuk i kemi të përcaktuar akoma, nëse mendon se Sali Berisha imiton Edi Ramën është akti i fundit që do të bënte para se të vriste veten.”