Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese që goditën rajonin qendror grek të Thesalisë të martën, më 5 shtator, është rritur në 14, njoftuan mediat lokale të dielën.

“Trupat e tre personave të tjerë u gjetën sot nga ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa tre persona të tjerë rezultojnë të zhdukur”, njoftoi transmetuesi publik ERT.

Ndërkohë, niveli i ujit në lumin Pinios ka mbetur i lartë dhe kërcënon qytetin e Larisës, një nga më të mëdhenjtë në rajon, si dhe vendbanimet fqinje.

U theksua se përmbytjet shkaktuan shkatërrime të mëdha në rajon dhe shkatërruan prodhimtarinë bujqësore, si dhe një numër të madh të banesave, objekteve afariste dhe infrastrukturës.

Situata është veçanërisht shqetësuese në qytetin e Volosit me 200 mijë banorë ku rrjeti i ujësjellësit është dëmtuar rëndë, duke lënë banorët pa akses në ujë të pijshëm.

Kjo që po ndodh me Greqinë këto ditë, ku zona të tëra janë zhytur në ujë, po konsiderohet si një tragjedi kombëtare e përmasave të papara e jo vetëm nga numri i jetëhumbjeve. Përmbytjet kanë shkatërruar në pak minuta punën e një jete të tërë për shumë familje, duke parë pasurinë e katandinë e tyre të zhytura në ujë e llucë, vështirë të rikuperueshme.

Ishte stuhia “Daniel” ajo që përshkoi zonën e Thesalisë me një furi rreshjesh, duke bërë që nga lajmet me zjarre Greqia të kalonte te lajmet më përmbytje.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re