Dashuria e solli në Tiranë. I ndrroi dhe mbiemrin. E bëri bashkëshorte, mam’ e më pas gjyshe. Aktore të dashur të skenës së Teatrit e Kinemasë. Interpretuese të ambël të poezisë shqipe e të huaj. E butë, e bukur, qenie e brishtë , plot fisnikëri dhe qytetari ajo intuitivisht e më pas me bindje, zgjodhi rrugën e konfirmimit të vet përmes punës, përkushtimit, ndjeshmërisë, ndershmërise, e përsëri punë e përkushtim.

 

Thellësisht modeste, thellësisht pasionante, thellësisht e sinqertë e fisnike, dashuruar me frymëmarrjen njerezore, atë të një luleje apo të një qyteti, të vendlindjes së vet apo Tiranës ku lulëzoi, dashuruar me Atdheun që i dhemb, por njekohëshëm dashuruar me atë më të thjeshtën, familjen e vet, kryefjala e jetës së saj.

E ftova në Radio Tirana në emisionin “Kur themi të dua” .E hënë qershori. Pragmbrëmjeje. Ata u shfaqën çift. Të kapur për dore me Dhimiter Anagnostin. Ajo aktore e dashur, ai regjisor – mjeshter e shkrimtar mendjehollë. Të thjeshtë. Të dashur. Modestë. Me vështrimin sy më sy , në një shfaqje në një tjetër formë të dashurisë së tyre, transformuar e pasuruar kohës, dekadave.

Ndërsa ndaheshin, Roza për të hyrë në Radio dhe Dhimitri për t’iu dorëzuar të mugëtit mbrëmësor, ai delikatshëm i puthi gishtërinjtë e dorës së dashures së tij të përjetshme . Një gjest i thjeshtë, e sa domethënës. E këtu nisi rrëfimi i butë për dashurinë i Roza Anagnostit që ia transformoi shkëlqimin e syve, ëmbëlsoi qënien e zërin që rridhte i kadifenjtë frekuencave të Radios , si dëshmi e dashurisë së pamoshë që kultivohet mundimshëm e e me shpirt si një fjongo e hollë përshkuese e jetes njerezore.

 

&nbsp

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re