Teksa konflikti i vazhdueshëm Izrael-Palestinë hyn në ditën e tij të 13-të, duke marrë jetën e mbi 5 mijë njerëzve, një akademik izraelit thotë se nuk ka gjasa që Tel Avivi zyrtar të mbahet përgjegjës për përdorimin e forcës disproporcionale në Gaza.

Neve Gordon, i cili është profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në Universitetin Queen Mary të Londrës, thotë se Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) tenton të gjykojë entitete më të dobëta sesa kombe të fuqishme, si Izraeli, duke ngritur pyetje kritike në lidhje me efikasitetin e ligjeve ndërkombëtare në këtë konflikt.

“Nëse shikojmë GJNP-në dhe kush është paraqitur në GJNP, shohim gjithashtu se është kryesisht një gjykatë që gjykon të dobëtit dhe jo të fortët”, thotë Gordon në një video-intervistë për Anadolu.

E drejta ndërkombëtare u krijua nga shtetet dhe shpesh përdoret për të mbrojtur shtetet kundër palëve më të dobëta joshtetërore, thotë ai.

Me të drejtën ndërkombëtare, Gordon nënkupton ligjet e luftës; katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë të vitit 1977.

Ai beson se e drejta ndërkombëtare nuk do të jetë shpëtimtari i popullit palestinez, pasi ka shumë përjashtime dhe i lë shumë hapësirë interpretimit dhe manipulimit.

Sipas tij, Izraeli në të kaluarën ka përdorur ligjin ndërkombëtar për të mbrojtur veten përballë akuzave për dhunë të paligjshme.

Përderisa Izraeli nuk është nënshkrues i traktatit themelues të GJNP-së të vitit 1998, Tel Avivi zyrtar akoma mund të dërgohet në gjykatë.

Gordon shpjegoi se hetimi mund të vazhdojë për shkak të përfshirjes së Palestinës në Statutin e Romës në vitin 2015, që i dha juridiksionin GJND-së mbi krimet e kryera nga shtetas palestinezë ose krimet e kryera tërësisht ose pjesërisht në territorin palestinez.

Krimet e luftës

Në lidhje me krimet e luftës të kryera gjatë përshkallëzimit të fundit në konfliktin izraelito-palestinez, akademiku tha se reagimi i Tel Avivit ndaj një sulmi të befasishëm nga Hamasi ka qenë “i mbushur me krime lufte”.

Kjo përfshin ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe ujë në Rripin e Gazës, si dhe kërkesën që 1,1 milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në një periudhë kohore shumë të shkurtër.

“Patjetër që bombardimi i vendeve civile pa bërë dallim mund të konsiderohet një krim lufte”, shtoi ai.

Gordon vlerëson se ka shumë mundësi që Izraeli të kryejë më shumë krime lufte nëse vazhdon me sulmin tokësor që po planifikon në Gaza.

Ai thotë se 7 tetori i Hamasit mbi Izraelin ishte “padyshim një krim lufte sepse Hamasi sulmoi kryesisht civilët”.

Vendet e forta nuk mbahen përgjegjës

Sipas profesorit izraelit, është “shumë e vështirë” të kërkosh llogari nga vendet e forta për veprimet e tyre.

“Ne shohim Izraelin duke pushtuar palestinezët për vite me radhë dhe nuk është përgjegjës për veprimet e tij. Pra, nuk mendoj se ligji do të jetë mjeti i duhur”, tha ai, duke shtuar:

“Unë mendoj se shoqëria civile në vende të ndryshme duhet të bëjë presion mbi qeveritë e tyre dhe t’u thotë qeverive të tyre, ‘kjo nuk është në rregull’. Ju duhet të ndaloni përshkallëzimin e dhunës dhe të sillni drejtësi në Izrael-Palestinë.”

Gordon beson gjithashtu se fushata pro-palestineze për “Bojkot, Izolim dhe Sanksione” (BDS) kundër Izraelit është mënyra më efektive për të sjellë Tel Avivin para përgjegjësisë.

Manipulimi i ligjeve

Në lidhje me manipulimin e ligjeve ndërkombëtare nga Izraeli për t’u larguar nga krimet e luftës, Gordon jep shembullin e Izraelit që urdhëroi mbi 1 milion njerëz të evakuojnë pjesët veriore të Gazës dhe të shkojnë në pjesën jugore.

Gordon vlerëson se nëse Izraeli fillon një sulm tokësor, atëherë do të thotë se u ka thënë civilëve të largoheshin.

Kjo do të çojë në supozimin se kushdo që nuk është larguar mund të përfshihet në luftime dhe për këtë arsye është një objektiv legjitim.

Gordon tha se megjithëse “mijëra civilë mund të mbeten në zonë”, Izraeli do t’i trajtojë këta civilë si pjesëmarrës në armiqësi ose si “mburoja njerëzore”.

“Kjo është një mënyrë për të legjitimuar në fakt shënjestrimin e njerëzve të mbrojtur. Pra, duke i përcaktuar njerëzit që mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar sikur të jenë mburoja njerëzore, vetëm sepse kanë mbetur në shtëpinë e tyre, kjo është një mënyrë për të manipuluar ligjet e luftës”, tha Gordon.

Mbështetje për armëpushim

Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë se ai definitivisht mbështet një armëpushim, de-përshkallëzimin e dhunës dhe një shkëmbim të menjëhershëm të pengjeve dhe të burgosurve brenda Izraelit.

Ai tha se një situatë e zgjatur e dhunës koloniale po përdoret kundër palestinezëve.

Lidhur me një zgjidhje të mundshme me dy shtete, ai mendon se një rezultat i tillë është “histori” dhe se nuk ka më asnjë mënyrë për t’u kthyer tek ajo.

“Pra, ajo që ne në fakt kemi tani midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe është një shtet. Është një shtet aparteid. Dhe ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë mekanizma për të demokratizuar në thelb shtetin që ekziston aktualisht, në mënyrë që hebrenjtë dhe palestinezët të kenë vota të barabarta dhe të mund të jetojnë si qytetarë të barabartë dhe në një vend”, tha ai.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re