Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka rikthyer edhe një herë për konsultim dokumentin lidhur me rregullimin e tarifave të sipërmarrësve FNT (Fuqi të Ndjeshme në Treg) në tregjet me shumicë të terminimit dhe tranzitimit të thirrjeve në rrjetet fikse. Në këtë draft propozohet një ulje me dy faza e tarifave që prek kryesisht Albtelecom, që është edhe operatori kryesor tek ky treg.

Referuar tabelës së propozuar nga AKEP sugjerohet që Albtelecom, Telekom Albania të aplikojnë një tarifë intekonjeksioni prej 1.29 lekë/minutë deri më 30 gusht 2018. Pas kësaj, më 1 shtator 2018 kompanitë duhet që të aplikojnë uljen e parë duke e çuar tarifën në 1 lekë/minutë.

“Niveli i FTR prej 1.00 lek/minutë për fazën 1.09.2018-31.12.2018 është sa niveli mesatar i të ardhurave nga terminimi fiks në vendet e BEREC në vitin 2016. Nivelet e tarifave FTR dhe tranzitimit në fazën që fillon më 1.09.2018 janë përcaktuar edhe si mesatare e nivelit të tyre në vitin 2016 dhe vlerave finale të tyre”, thuhet në dokumentin e AKEP.

Faza e dytë e rishikimit të tarifave pritet që të bëhet në 1 janar 2019 dhe do të jetë 46 për qind në raport me tarifat aktuale që do të jenë në fuqi deri në gusht 2018.

“Reduktimet e propozuara të tarifave të terminimit nga data 1.9.2017 janë 23% ndërsa duke filluar nga data 1.1.2019 reduktimi është me 46% në krahasim me tarifën aktuale.

Tarifa e propozuar për terminim në rrjete fikse në Janar 2019 (0.7 lek/minutë) është sa tarifa mesatare e vendeve të BE (BEREC), por më e lartë se tarifa mesatare benchmark sipas LRIC të pastër në rrjete fikse (0.12 lek/minutë) e aplikuar në vende të BE”, nënvizon raporti.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka analizuar karakteristikat e tregut të telefonisë fikse në vend që janë edhe përcaktues deri diku edhe të tarifave që aplikohen Në Shqipëri dominancën e ka telefonia celulare kurse fiksi është në nivele të ulëta përdorimi, zhvillimi dhe mbulimi si në krahasim me rajonin ashtu edhe me BE. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re