Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e aksit të ri rrugor Korçë-Skrapar. Kontrata është lidhur në datën 29 dhjetor 2017, përmes ARRSH dhe kompanive “Transport Highway Consulting”  dhe “Erald – G”, me fonde të buxhetit të vitit 2017, ndërsa ka në fokus hartimin e projektit dhe zbatimin e tij.

Sipas studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë së miratuar është përcaktuar se ky aks i ri nacional do të ketë një gjatësi prej 103 km, ndërsa për nga rëndësia dhe intesiteti parashikohet të jetë rrugë kryesisht për trafik të tonazhit të lehtë dhe të mesëm.

Rruga e re është parashikuar për të patur disa funksione, pasi do shërbejë për lidhje me rruge automobilistike nacionale të Qarqeve Berat dhe Korçë. Më konkretisht do të lidhë rrethet Berat e Skrapar me rrethet Maliq, Korçë.

Po ashtu, ky aks do të lidhë këto rrethe me pikën kufitare të Kapshticës dhe rrethet Pogradec dhe Kolonjë. Gjithashtu, pritet t’i shërbejë edhe zhvillimit urban të disa fshatrave si dhe rritjes e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit, bujqësisë dhe blegtorisë në këto zona.

Tashmë, ka përfunduar dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis, si pjesë e përgatitjeve për planifikimin e një projekti zhvillimi, që referuar legjislacionit në fuqi kryehet nga zhvilluesi.

Referuar raportit, nuk janë konsideruar impakte të rëndësishme në terrenet historike, kulturore dhe arkeologjike apo ndikime në terren e peizazh. Megjithatë, referuar rreziqeve të mundshme gjatë fazës së punimeve, raporti rekomandon dhe marrjen e një sërë masash, me qëllim shmangien e ndikimeve negative në mjedis.

Ola Mitre/SCAN