Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit hodhi poshtë akuzat e bëra nga Partia Demokratike për projektin e digjitalizimit të punës së inspektorëve tatimorë.

Ajo i konsideroi ato një përpjekje për të baltosur punën e institucionit.

“E ndërkohë që “opozita” shqiptare kërkon me çdo kusht vëmendje mediatike thjesht për përfitime politike, fatkeqësisht nuk dha asnjë argument mbi arsyet e prokurimit të një prej projekteve më të rëndësishme të modernizimit të administratës publike, kaq i kërkuar nga komuniteti i biznesit, duke dalë hapur kundër interesit të tyre, vetëm e vetëm për të dalë në media ndonëse me akuza të rreme. AKSHI ka detyrim të udhëheqë revolucionin digjital të Shqipërisë, të shërbimeve publike, të shërbimit të qytetarëve dhe të goditjes ndaj korrupsionit. Opozitës i kujtojmë se këtë punë e vlerësuan një muaj më parë dy organizatat më të rëndësishme dhe të besuara në nivel botëror, OKB dhe OECD, që e renditën Shqipërinë në vendin me qeverisjen digjitale më të mirë të rajonit duke lënë pas edhe vende anëtare të BE-së”, thuhet në reagimin për mediat.

AKSHI sqaroi sistemi që po anatemon PD do të evidentojë në mënyrë automatike ngarkesën e punës, duke ndihmuar vendimmarrjen e administratës tatimore për shpërndarjen e inspektorëve në terren.

Gjithashtu, përmes sistemit, do të evidentohen zonat problematike në lidhje me informalitetin dhe evazionin.

“Duke marrë në mënyrë automatike informacionin e dobishëm nga të gjithë sistemet ekzistuese do të shkurtojë kohën e humbur duke mbledhur informacion nga inspektorët si dhe do të evitojë pasaktësitë e mundshme të informacionit të shkëmbyer në rrugë jo-elektronike, duke rritur për rrjedhojë efiçencën dhe saktesinë e punës së tyre. Po ashtu, duke qenë se çdo veprim do të lërë gjurmë, asnjë inspektor nuk mund të mbyllë një sy përpara shkeljeve dhe të pretendojë, që nuk i pa ato, instrument që do të ndikojë automatikisht në uljen e nivelit të korrupsionit deri në eliminimin e tij”, vijon më tej reagimi.

Sipas AKSHI-t, ky investim nuk është një shpërdorim, por shumë shpejt do të japë rezultatet konkrete. Gjithashtu, AKSHI hodhi poshtë akuzat e PD se ky sistem ekziston që prej vitit 2013.

Sa i takon procedurës së tenderimit, u sqarua se për të nuk është bërë asnjë ankesë dhe se e gara ka qenë e hapur për 23 ditë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re