“AKSHI-Gate”/ Apeli i Posaçëm shtyn vendimin, SPAK paraqet prova të reja

Apeli i Posaçëm ka shtyrë për në datën 5 dhënien e vendimit lidhur me çështjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjatë seancës, prokurorët e SPAK paraqitën prova të reja dhe kërkuan që të lihet në fuqi masa e mëparshme e sigurisë.

Mësohet se provat e reja konsistojnë në deklarime të personave të marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK po heton 12 procedura tenderuese, të cilat nga hetimet kanë rezultuar të paracaktuara.

Bëhet fjalë për tenderë me vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverëve të institucioneve të rëndësishme.

Këto tendera janë fituar nga dy biznesmenët, në kërkim përmes mashtrimit dhe shantazhit.

Një tjetër episod që SPAK po heton është edhe ai i rrëmbimit të biznesmenit Geron Meçe.

LEXO EDHE: Publikohen shifrat/ Open Data: AKSHI në 8 vite pagoi 414 milionë euro

Kujtojmë se, Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Kërçanaj vazhdon të jetë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiri janë caktuar masat “arrest me burg”.