Të paktën 39 persona humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në mbrëmjen e së dielës në një aksident hekurudhor që përfshiu dy trena në Spanjën jugore. Nga të plagosurit, 24 janë në gjendje të rëndë, njoftoi Presidenti i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno. Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet në përplasjen më të keqe hekurudhore në Spanjë në më shumë se një dekadë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:40 sipas orës lokale kur vagonët e fundit të trenit Iryo që shkonte për në Madrid dolën nga shinat, duke kapërcyer në binarët e tjerë, ku në kah të kundërt po udhëtonte një tren Renfe për në Huelva. Goditja ishte e tmerrshme dhe shkaktoi përmbysjen e dy vagonëve të parë të trenit Renfe. “Gjëja më e rëndësishme tani është të ndihmojmë viktimat”, shkroi në platformën X, Ministri Spanjoll i Transportit Oscar Puente.

Për shkak të katastrofës, shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë për në rajonin jugor të Andaluzisë dhe Madridit do të mbetet i pezulluar për të gjithë ditën e hënë. “Lidhja hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Kordobës, Seviljes, Malagës dhe Huelvës do të mbetet e pezulluar për të gjithë ditën e hënë”, bëri të ditur në një deklaratë shoqëria që administron hekurudhat në vend ADIF, duke shtuar se “do të nevojiten të paktën 48 deri në 72 orë për të rivendosur infrastrukturën hekurudhore”.

Iryo, kompania që operon një nga trenat me shpejtësi të lartë të dalë nga shinat, tha në një deklaratë se “të gjitha protokollet e emergjencës” ishin aktivizuar. Pasagjerët në trenat e përfshirë në dalje nga shinat u evakuuan, raportoi Adif, ndërsa vijon kërkimi për viktima ose të mbijetuar mes llamarinave të vagonave që dolën nga shinat.

Arsyet e devijimit të trenit të operuar nga kompania private Iryo, i cili transportonte të paktën treqind pasagjerë dhe po udhëtonte nga Malaga në Porta de Atocha në Madrid, janë aktualisht të panjohura.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, deklaroi në një konferencë për shtyp se “aksidenti ishte jashtëzakonisht i çuditshëm”, pasi ndodhi “në një vijë të drejtë, në një linjë të rinovuar së fundmi” dhe përfshinte një tren Iryo “praktikisht të ri”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re