Skip to content

Aksident i rëndë në aksin Prrenjas–Librazhd, plagosen 4 anëtarë të së njëjtës familje, 15-vjeçari në gjendje kritike

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje në aksin kombëtar Prrenjas–Librazhd, në afërsi të fshatit Qukës.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë disa automjete dhe si pasojë janë plagosur katër persona, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Automjeti me drejtues shtetasin R. D., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Ç. H..

Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasi Ç. H., dhe 2 shtetas pasagjerë në automjetin e tij, si dhe po transportohet me ambulancë për në spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore më të specializuar, një 15-vjeçar, pasagjer po në këtë automjet.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën autoambulanca nga spitalet e Librazhdit dhe Prrenjasit, duke dhënë ndihmën e parë dhe transportuar të plagosurit drejt qendrave spitalore për mjekim të specializuar.

Aktualisht, nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë aksident, ndërkohë që grupi hetimor dhe forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës.