Një aksident i rëndë është regjistruar pak minuta më parë në afërsi të fshatit Drobonik në Berat. Një familje që udhëtonte në një mjet tip ‘Fuoristradë Mitsubishi’, me targa AA 531 CA ka rrëshqitur duke zbritur drejt Beratit dhe ka rënë nga një lartësi rreth 20 metër. Si pasojë është plagosur lehtë drejtuesi i mjetit Renato Kola 25-vjeç ndërkohë që të plagosur rëndë kanë mbetur dy prindërit e tij që udhëtonin bashkë me djalin.

Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve me plagë të shumta në trup. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët kryejnë këqyrjen e vendit të aksidentit dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të tij.

Burimet policore në vendngjarje bëjnë me dije se paraprakisht mendohet se shkak për këtë aksident të jetë bërë ngrica në rrugë që ka sjellë edhe rrëshqitjen e mjetit që-sipas policisë-ka qenë me shpejtësi dhe nuk ka mundur sot të kontrollojë rrëshqitjen. Zona në të cilën ka ndodhur aksidenti është një zonë malore dhe e rrethuar me kodra të shumta ku dielli arrin të depërtojë vetëm pas mesditës.

Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re