Aksident me 7 të plagosur  mes të cilëve 2 fëmijë të moshës 5 dhe 14 vjeç.

 

Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Maliq-Pogradec në afërsi të kryqëzimit të fshatit Gurishte. Burime të siguruara thanë se njëri nga mjetet e përfshirë në aksidentin e 3 fishtë ka qenë duke lëvizur nga Maliqi në drejtim të Pogradecit, ndërkohë që dy mjetet e tjera po shkonin drejt Korçës.

 

Krejt papritmas mjeti që vinte nga Maliqi ka kryer një manovër të gabuar duke kaluar nga krahu i djathtë i rrugës në krahun e kundërt. Aty ku më pas është përplasur fillimisht me një mjet golf e më pas edhe me një mjet tjetër. Si rezultat i këtij aksidenti 7 persona mes të cilëve 3 drejtues të mjeteve kanë mbetur të plagosur. Për transportimin e tyre drejt spitalit të Korçës janë angazhuar  2 ambulanca të Korçës dhe 1 e Maliqit.

 

Burime pranë spitalit bëjnë me dije se të 7 të plagosurit përfshi edhe minorenët janë jashtë rrezikut për jetën. Ekspertët e policisë rrugore po hetojnë për shkaqet e këtij aksidenti, por mendohet që drejtuesi i mjetit që solli përplasjen të ketë qenë duke udhëtuar me shpejtësi në kushte të vështira atmosferike dhe rreshje të dendura shiu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re