Ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës, por kjo e diel fatkeqësisht do të ishte e fundit për 70-vjeçaren Sabrie Çoçka. Pak metra nga shtëpia e saj, viktima së bashku me fqinjën e saj janë përplasur nga një automjet tip “Nissan” me targa greke i drejtuar nga Jani Kallos.
 
Aksidenti ndodhi në pasditen e kësaj të diele në fshatin Podgorie. Përplasja ka rezultuar fatale për Sabrie Çoçken, e cila ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spitalin e Pogradecit, ndërsa ka mbetur e plagosur rëndë 70-vjeçarja Bike Xhemollari.
 
Forca e përplasjes ka bërë që dy të moshuarat të përfundojnë në kanalin poshtë rrugës. Sipas uniformave blu Jani Kallos, ka zgjedhur rrugën dytësore në drejtim të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, rrugë e cila është më e shkurtër se aksi Pogradec-Kapshticë, por shpejtësia e tepërt dhe mosnjohja e kësaj rruge, sollën edhe aksidentin e rëndë.
 
Brenda pak ditësh, ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekje në akset rrugore të Korçës, duke shënuar në total tre viktima.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re