Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Laç-Autostradë, ku një mjet ka përplasur një këmbësor, i cili ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.

Mësohet se drejtuese mjeti ishte një punonjëse e policisë, e cila në momentin e aksidentit ka qenë jashtë orarit të punës.

43-vjeçarja Florinda Zvangu është arrestuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Njoftimi i policisë:

Në aksin rrugor Laç-Autostradë, shtetasja F. Z.,43 vjeçe, (punonjëse policie, jashtë orarit të punës), duke drejtuar automjetin e saj ka aksidentuar shtetasin V. H. 51 vjeç, banues në Kurbin,(këmbësor), i cili u transportua në Spitalin e Traumës Tiranë për asistencë mjekësore më të specializuar, por ka humbur jetën në spital.

Grupi hetimor dhe specialistët e AMP (rajoni Lezhë-Shkoder), kanë kryer të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes si dhe drejtuesja e mjetit është shoqëruar dhe arrestuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.

Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re