Një aksident ka ndodhur në aksin Qafë Plloçë-Pogradec në afërsi të fshatit Vërdovë.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e Vërdovës në hyrje të qytetit, aty ku një drejtues motori ka goditur nga mbrapa një mjet.

Nga goditja drejtuesi i mjetit motor ka pësuar lëndime në kokë. Burime bëjnë me dije se 24-vjeçari është nisur për ndihmë mjekësore drejt spitalit të traumës në Tiranë.

Policia po heton për shkaqet e këtij aksidenti. Duhet thënë se ky kryqëzim herë pas here është bërë burim aksidentesh kryesisht në orët e mbrëmjeve për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe ndriçimit.

Njoftimi:

Më datë 22.02.2024, rreth orës 10:00, në dalje të qytetit të Pogradecit, motomjeti me drejtues shtetasin A. P., 24 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. G., 56 vjeç. Për pasojë ka marrë lëndime trupore drejtuesi i motomjetit, i cili u dërgua në Tiranë, për mjekim më të specializuar.

Me drejtuesin e automjetit shtetasin A. G., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re