Një aksident rrugor në qytetin bregdetar të Vlorës ka marrë përmasa të pazakonta, duke u kthyer në një ngjarje të ngjashme me një “skenë filmash”.
Ngjarja ndodhi mes një automjeti tip Fiat dhe një Benz-i, të cilët u përplasën me njëri-tjetrin në rrugët e qytetit. Sipas raportimeve, drejtuesi i Benz-it ka humbur kontrollin e vetes pas aksidentit dhe ka nisur të godasë me forcë Fiat-in, ndonëse të dyja makinat kishin pësuar dëme nga përplasja fillestare.
Shoferi 25-vjeçar, i Benz-it nuk është ndalur vetëm me përplasjen aksidentale, por ka sulmuar qëllimisht automjetin tjetër, duke i shkaktuar dëme të rënda.
Konflikti mes dy drejtuesve të mjeteve në zonën e “Rrethit të Skelës” në Vlorë ka përfunduar me ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë dhe arrestimin e 25-vjeçarit i cili rrezikoi jetën e një të riu duke goditur qëllimisht automjetin e tij.
Ngjarja alarmoi qytetarët, ndërsa reagimi i shpejtë i forcave “Shqiponja” dhe strukturave të tjera të policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Në vijim, Policia bëri të ditur detajet e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale për shkak të sjelljes agresive të njërit prej drejtuesve të mjeteve.
Vlorë/Policia ndërhyn në kohë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti mes dy shtetasve, për motive të dobëta.
Goditi disa herë me automjetin e tij, automjetin e një shtetasi tjetër, duke i rrezikuar jetën, vihet në pranga 25-vjeçari.
Menjëherë pas konstatimit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit, si dhe nga strukturat e tjera të DVP Vlorë që ishin në shërbim, se dy drejtues mjetesh, në vendin e quajtur “Rrethi i Skelës”, ishin përfshirë në një konflikt, ku njëri prej tyre, shtetasi E. H., 25 vjeç, po godiste në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij, automjetin e shtetasit G. D., 18 vjeç, duke i rrezikuar jetën, ndërhynë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe duke neutralizuar shtetasin E. H.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
