Një çift bashkëshortësh ndërruan jetë këtë të premte në një aksident rrugor me një autobus, ndërsa dy fëmijët e tyre mbetën të lënduar. Ngjarja ndodhi në rrugën Prishtinë- Podujevë të Kosovës rreth orës 04:40 të mëngjesit. Çifti i bashkëshortëve dhe dy fëmijët e tyre 4 e 5 vjeçarë, rezulton të ishin mërgimtarë që ishin kthyer në atdhe.

Burrë e grua ishin përkatësisht 36 e 35 vjeçarë. Ngjarja tragjike është konfirmuar nga zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e plagosur janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Drejtori i urgjencës Naser Syla, shpjegoi për median në Kosovë, se fëmijët kanë marrë lëndime serioze.

“Që të dy janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente. Janë kryer disa ekzaminime mjekësore të cilat kanë qenë të nevojshme dhe për momentin gjendja e tyre është stabile, mirëpo kanë lëndime të rënda”-shpjegoi mjeku.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë.  Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve”,- tha Kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re