Një tragjedi ka ndodhur pasditen e së premtes në Shën Petersburg të Rusisë, kur një autobus me rreth 15 pasagjerë u zhyt në lumin Moyka. Sipas informacioneve zyrtare të autoriteteve, tre persona janë gjetur të vdekur, ndërsa gjendja e katër pasagjerëve të tjerë, nga gjithsej gjashtë të shtruar në spital, është jashtëzakonisht kritike. Tre persona të tjerë u shpëtuan nga autobusi i zhytur në ujë.

Në videot e publikuara shihet autobusi duke lëvizur në një udhëkryq dhe duke dalë jashtë kontrollit deri në rënien në lumë. Shoferi i autobusit, i cili për një arsye të panjohur ka humbur kontrollin e mjetit, është arrestuar dhe po merret në pyetje, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Brendshme ruse.

Ndërkohë, në vendin ku autobusi është “zhytur”, është ngritur një operacion i madh shpëtimi, ku 69 persona dhe 18 makineri punojnë për të shpëtuar pasagjerët e autobusit dhe për t’i nxjerrë nga uji.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re