Truproja e Sali Berisha, Ervis Tushe tregon detaje në lidhje me aksidentin e mbrëmjes së të premtes pranë Laçit, ku u përfshi eskorta e ish-kryeministrit dhe për pasojë u lënduan dy shtetas nga Kosova.

Tushe zbulon se ndërsa eskorta e Berishës po kthehej për në Tiranë në autostradën Milot-Mamurra, një mjet me targa të Kosovës iu erdhi përballë në kundërvajtje.

Sipas tij, drejtuesi i mjetit ku udhëtonte Berisha arriti që të shmangë aksidentin që mund të kishte qenë me pasoja më të rënda.

“Pas takimit në qytetin e Laçit, rreth orës 19:02, rrugës në kthim në autostradën Milot-Mamurras, në drejtimin tone vjen një Mercedes i Bardhë 190 me targa të Kosovës, me shpejtësi në kundërvajtje. Falë aftësisë të shoferit të makinës së z. Sali Berisha u bë e mundur shmangia e menjëhershme e përplasjes, pasi makina në kundërvajtje ishte me shpejtësi tej normave te lejuara, po kështu edhe dy makinat pas makinës së z. Berisha, ndërsa makina e tretë, e ndodhur ballë për ballë ka bërë një frenim të fortë për ta shmangur, ku si pasojë është goditur nga mbrapa nga një mjet rastësor.

E gjitha kjo ka ndodhur për shkak të shoferit që po i jepte makinës me shpejtësi në autostradë në korsinë e gabuar. Fale zotit të gjithë jemi në gjendje të mirë shëndetësore, përfshirë doktor Berishën”, shkruan Tusha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re