Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Beratit.

Në aksident është përfshirë një automjet tip ‘Benz’ me drejtues A.T, 32 vjeç, i dehur në timon, i cili ka përplasur tre automjete të tjera.

32-vjeçari ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi përgjatë aksit Agjenci-Gjykatë.

‘Benzi’ ka goditur fillimisht një makinë përballë shkollës 9-vjeçare “22 Tetori” dhe është larguar me shpejtësi, por pak metra më tutje ai është përplasur edhe me 3 mjete të tjera.

Si pasojë e përplasjes janë plagosur rëndë dy shtetas. Mes të plagosurve dyshohet se është edhe një grua shtatzënë.

Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, por ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.

Mësohet se policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit të aksidentit, 32-vjeçarin A.T.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që lëvizja e automjeteve është devijuar në rrugën përgjatë lumit Osum.

Makinat e tjera të aksidentuara janë një ‘Golf 5’ me targa AB 308 BS, një Mitsubishi me targa AB 374 AF si dhe një Subaro me targa AA 128 ZS.

Njoftimi i policisë:

Berat/Informacion paraprak

Sot rreth orës 20:20, tek shkolla “22 Tetori”, shtetasi A.T., 32 vjeç duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me një mjet tjetër dhe është larguar nga vendi ngjarjes dhe në vendin e quajtur përballë “AZA Electronik”, është përplasur me një mjet tjetër me drejtues shtetasin F.K dhe me dy mjete të cilat ishin të parkuara.

Për pasojë është dëmtuar shtetasi F.K dhe pasagjerja në mjet, të cilët po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Berat, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit shtetasi A.T., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re