Një ditë pas aksidentit të rëndë që ndodhi në Rrugën e Kavajës, ku Ajaz Sulejmani përplasi familjen Konomi, teksa drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike, me semafor të kuq, gjendja e 3 të plagosurve është e qendrueshme.

Burime bëjnë me dije se fëmija 3 muajsh ka dalë nga spitali, ndërkohë që prindërit e tij Arjan dhe Vilma Konomi, janë në gjendje të qëndrueshme në spital dhe kanë dalë nga trajnimi intesiv. Tashmë çifti i bashkëshortëve po trajtohen për politraumë, të shtruar në një prej pavioneve të spitalit ushtarak.

Instikti i nënës, e cila shty karrocën e fëmijës, disa sekonda para përplasjes fatale, ka bërë që më i vogli i familjes të shpëtojë pa pasoja të rënda. Foshnja u pa duke u mbajtur në krahë nga kalimtarë të rastit, që po përpiqeshin ta qetësonin nga trauma që pësoi, ndërkohë që prindërit e tij dergjeshin në tokë, si pasojë e përplasjes nga mjeti luksoz që drejtohej nga Sulejmani.

Ky i fundit menjëherë pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar disa orë më vonë nga policia, në një spital privattë kryeqytetit, me pretendimin se në momentin e përplasjes, në makinë kishte dhe vajzën e tij, të cilën do ta dërgonte në spital.

Pretendimet e tij janë hedhur poshtë qoftë nga kalimtarë të rastit, qoftë nga policia, të cilët kanë deklaruar se në mjet bashkë me Sulejmanin ndodhej vetëm një person në moshë madhore, i cili po ashtu u vu në pranga pas aksidentit.

Sulelajmani dhe mjeti i tij GL, nuk ishin të panjohur për rrugorët e kryeqytetit, të cilët e kishin gjobitur dhe bllokuar në 8 raste, të riun, që ishte shpallur në kërkim për trafik droge në shtetin anglez.

Edhe dje gjatë testimit për drogë, Sulejmani rezultoi të ishte pozitiv për konsumimin e lëndëve narkotike. Pas aksidentit, drejtori i policisë Gledi Nano udhëroi kontrolle në të gjtihë vendin, që konkluduan në vendosjen e mijëra gjobave në të gjithë vendit, por a mund të frenohet krimi dhe luksi i shfrenuar me aksione?

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re