18 qershor Në pesë bashkitë e qarkut Berat u zhvillua sot një aksion pastrimi, i cili do të garantojë që sezoni turistik ta gjejë Shqipërinë të pastër.
Të pranishëm në aksion ishin edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, kryetarja e bashkisë Dimal, Juliana Memaj, prefektja e qarkut Berat, Valbona Zylyftari, një numër i konsiderueshëm qytetarësh, shoqëri civile, etj.
Ministri Klosi theksoi se “me porosi të kryeministrit Edi Rama po pastrojmë në 12 qarqet e vendit gjatë muajit qershor. Është një thirrje për gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këto aksione për të pasur një Shqipëri të pastër turistike”.
“Do të duhet angazhim i madh sidomos nga pushteti vendor, i cili duhet të bëjë detyrën kryesore atë të pastrimit në mënyrë sa më rigoroze”, – tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “në zbatim të vendimit të Komitetit të Menaxhimit të turizmit dhe nën drejtimin e Prefektures dhe Prefektes Valbona Zylyftarit sot në të gjithë qarkun po organizohen aksione pastrimi në të 5 bashkitë. Institucionet qendrore kanë marrë detyrat e tyre për të trajtuar çdo pëllëmbë të Beratit nga pikëpamja e një pastrimi gjeneral. Është shumë e rëndësishme që në këtë fillim sezoni intensiv turizmi të kemi gjithnjë e më të pastër qytetet tona”.
Më tej Klosi tha se “çelësi kryesor i këtij aksioni ka qenë zona turistike. Edhe pse kemi një kulturë shumë të lartë përsa i përket pastërtisë ne përsëri kemi shumë nevojë të menaxhojmë ndryshe hapësirat tona publike edhe në qarkun e Beratit”.
“Është fakt që falë investimeve të qeverisë shqiptare të 5 -ta landfildet e të 5 -ta bashkive sot janë rinovuar dhe sot nuk kemi më rrezikun që fryrja apo kapërcimi i nivelit të lumit do të mund të marrë mbetjet urbane nga landfilldet e të 5-ta bashkive e ti çojë prapë në shtratin e lumit”, – shtoi Klosi.
Kryetarja e bashkisë Dimal Memaj u shpreh se “jemi në ditën e pastrimit në Syzez, të territorit të qarkut Berat. Në fakt ne si bashki duke qenë se në terma afatmesëm kemi si qëllim futjen e bashkisë Dimal në axhendën turistike të qarkut Berat kemi evidentuar pikat, avantazhet konkurruese të zonës sonë, sapo kemi përfunduar edhe projektin e llixhave të qytetit”.
“Gjithashtu edhe këtë pyll kaq të bukur do ta kthejmë në një destinacion për banorët dhe komunitetin më gjerë se bashkia Dimal në mënyrë që të gjejmë një vend argëtimi për banorët e këtij komuniteti”, – u shpreh Memaj.
Prefektja Zykyftari tha se “së bashku me kryetarët e bashkive ne kemi përcaktuar akset e ndotura, të cilat janë pjesë e fokusit të këtij aksioni që po zhvillohet në të 5-ta bashkitë e qarkut ku janë përfshirë administrata qendrore dhe ajo vendore, të rinj e të reja qytetarë që kanë dashur ti japin një dorë ndihmës pastrimit të gjithë qarkut Berat”.


