Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, është shprehur se aksioni i Policisë në Kampin e Muxhahedinëve është i bazuar në një vendim gjykate dhe tërësisht legjitim.

Komentet Qefalia i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se nëse ka dyshime për cënim të rendit public, nuk është nevoja të merret leje në OKB për të ndërhyrë.

Ai shtoi se nuk beson se përplasjet në kamp do të ndikojnë në prishjen e marrëveshjes mes Muxhahedinëve dhe palës shqiptare, pasi sipas tij, jo të gjithë ata mund të kenë qenë pjesë e paligjshmërisë.

“Do të veprohet në bazë të legjislacionit shqiptar. Vërtet ai është një kamp që administrohet nga vetë ata, por kjo nuk u lejon atyre mundësinë që të dnalojnë autoritetet shqiptare që të kryejnë kontrolle brenda kampit. Kjo më ka lënë të dyshoj dhe mezi pres të njihem me rezultatet që do të nxjerrin organet.

Ne kemi nje marrëveshje që ka të bëjë me ruajtjen e këtij grupi dhe për të mos patur probleme nga pala qeverisëse në Iran. Nuk mendoj se do të kemi prishje të marrëveshjes, sepse këtu nuk flitet me gjithë kampin. Ato individë që janë ingranuar dhe kanë cënuar elementët e sigurisë kombëtare… Pra unë jam i bindur dhe nuk ka pse të prishet marrëveshja. Ndaj individëve që kanë shkelur rregullat, patjetër që do të ketë penalitete.

Çdo cënim i sigurisë kombëtare të Shqipërisë, është cënim për të gjitha vendet e NATO-s. Sepse kemi nenin 5. Më vjen keq që nga pala e opozitës ka pasur një opinion jo shumë pozitiv për policinë. Nëse ka një rast që duhet të solidarizoheshim me policinë, është ky rasti. Nuk është rasti ky të themi se policia ka përdorur dhunë ndaj shumë individëve.

Organet ligjzbatuese shqiptare e shtrijnë kontrollin në të gjithë Shqipërinë. Në këtë këndvështrim, ndërhyrja është e pranueshme. Mund të ndërhyjnë sa herë që ka informacione për prishje të rendit. Nuk mund të merret leje në OKB të ndërhyet apo mos të ndërhyet. Nëse ne kemi informacione nga institucionet për element që cënojnë sigurinë kombëtare, si mund të akuzosh policinë që ka marrë një vendim në dorë dhe ka shkuar ta zbatojë.

Ne jemi shtet sovran, përsa i përket tërësisë territoriale kemi të drejtën absolute për ta ushtruar. Gjëja është aq e kopsitur në këtë pikëpamje, sa nuk të lë shans të mendosh ndryshe. Nuk pretendoj që gjithë pjesëtarët e kampit janë njerëz që janë marrë me këto gjëra”, u shpreh Qefalia.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re