Kreu i PD Sali Berisha bëri përgjegjëse qeverinë për situatën e vështirë me të cilën po përballen qytetarët e zonës së Shkodrës si pasojë e përmbytjeve. Gjatë një vizite në fshatin Kuç në Shkodër, Berisha akuzoi  për keqmenaxhim të kaskadës së Drinit, pasi sipas Berishës qeveria edhe pse e dinte që Shqipëria do të përballej me reshje shiu, gjatë ditëve të fundit nuk prodhoi energji nga hidrocentralet, por vendosi të importojë.

 

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

“Tani del e thotë që e bëra për të shtuar rezervat, ndërkohë që të gjithë të dhënat tregonin se do të kishte reshje ekstreme, por i kishte sytë te paratë që do vidhnin, që i kishin prokuruar për të blerë 10 milionë euro energji elektrike, nga të cilat së paku 5 milionë i fusin në xhep.”

 

Sipas Berishës, situata do të ishte e menaxhueshme nëse gjatë ditëve të shkuara do të prodhohej energji nga hidrocentralet e niveli i tyre do të ishte më i ulët. Por kryetari i PD ka akuzuar edhe KESH-in se nuk ka njoftuar qytetarët para se të hapte portat.

 

 

“Kur kanë kryer krimin, nuk kanë njoftuar kryetarin e Bashkisë, nuk ju kanë njoftuar juve. Ata duhej të njoftonin disa orë përpara. Ata kanë hapur portat dhe turbinat dhe kanë përmbytur brenda gjysmë ore në mënyrë të rrufeshme zonën.”

 

 

Më pas, gjatë një konference me gazetarët, Berisha ka ashpërsuar tonet duke folur për akt kriminal ndaj qytetarëve të Shkodrës.

 

 

“Përmbytja është qeveritare dhe akt i mirëfilltë kriminal. do vijë koha që do bëhen përgjegjës Rama e Balluku e hajdutë të tjerë që lejuan këtë katastrofë.”

 

Sipas Berishës, përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë në këtë situatë është ligjore dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi.

https://berati.tv/wp-content/uploads/2023/02/makina-me-qera.png