Një aktekspertizë e thelluar do të kryhet për të gjitha banesat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar dje vendimi i qeverisë, i marrë në 15 janar, që përcakton kryerjen e aktekspertizës së thelluar për banesat e dëmtuara më rëndë.

Sipas këtij vendimi, njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse shtetërore do të kryejnë aktekspertizë të thelluar për të gjitha objektet për të cilat kërkohet një rivlerësim më i thelluar, mbështetur në aktkonstatimet ose aktvlerësimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo të grupeve përkatëse të inspektimit.

“Aktekspertiza e thelluar i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës. Instituti i Ndërtimit jep opinionin e tij, i cili mbizotëron mbi aktekspertizën e thelluar dhe zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse”, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendim përcaktohen edhe tarifat për kryerjen e aktekspertizës së thelluar për objektet, publike ose private, që janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie DS4 dhe DS5.

Për objektet pa projekt teknik, vendimi parashikon realizimin e dokumentimit gjeometrik dhe teknik të strukturës së objektit, që përfshin realizimin detajimit gjeometrik, planeve të strukturave dhe të dimensionimeve gjeometrike të elementeve strukturale; projektimit simulues dhe studimit gjeologjik dhe projektit simulues të themeleve.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Instituti i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re