Ishte për shëtitje në liqenin Braies në Trentino me të shoqen dhe vajzat, kur dëgjoi ulërimën e një gruaje që kërkonte ndihmë. Thirrjet ishin dëshpëruese, veçanërisht kur nisi të dëgjohej e qara e një foshnje.

Pa hezituar shumë, iku për të ndihmuar. Shpëtoi foshnjen e vogël, duke vënë jetën e tij në rrezik.

Kjo është historia e një 43 vjeçari shqiptar në Itali, i cili është identifikuar si një hero i vërtetë nga media italiane. Tomorr Buzi, banues në Romano të Lombardisë, mundi të shpëtojë foshnjen që kishtë rënë në ujërat e akullta të liqenit. Shtresa e akullit ishte thyer, duke marrë përposhtë nënën me fëmijën e vogël. Si pasojë e thyerjeve së akujve në sipërfaqen e liqenit, në ujë ranë 8 persona.

43 vjeçari shqiptar ka vrapuar për ndihmë dhe është shtrirë mbi akullin e liqenit. Fatmirësisht ai ka arritur në kohë të shpëtojë foshnjen.

“Askush nuk mund të rrijë duarkryq nga thirrjet e një nëne për ndihmë, aq më tepër nga të qarat e një foshnje, ai ishte aq i vogël e i pambrojtur. Kur e pashë, instikti më shtyu, shkova me vrap ta shpëtoja. Në ato momente ku nuk mendon për asgjë veçse për ‘misionin’. Misioni im në atë moment, ishte të shpëtoja atë fëmijë”-tha për median italiane 43 vjeçari.

Shqiptari ka shkuar me shpejtësi për ndihmë, pa hequr nga trupi rrobat, pa lënë portofolin apo celularin.

“Ime shoqe e vajzat e mia kishin frikë, unë jo. Në ato momente nuk kisha frikë për jetën time. Ai fëmijë ishte në rrezik, kurse familje ime ishte e sigurt, kaq mjaftonte që unë të vrapoja drejt vogëlushit”-shton Buzi.

Pasi shpëtoi fëmijën, vetë përfundoi në ujë. Ndihma erdhi dhe të dy shkuan në spital. Disa ditë kaluan nga ndërhyrja e tij heroike dhe kur është pyetur nga media, 43 vjeçari është shprehur krenar për veprimin e tij dhe se do ta bënte sërish të njëjtin veprim për t’i shpëtuar jetën një foshnje.

“Më vjen keq që shqetësova familjen, por e dija se po bëja gjënë e duhur. Nëse do të kthehesha prapa, do të ribëja të njëjtën gjë”-tregoi shqiptari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re