Në kuadër të fushatës të nisur nga aktivistja libaneze Sarah Fawwaz për të prekurit nga tërmeti në Siri me qendër në Kahramanmaraş u mblodhën 15 kamionë me ndihma.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilëve ishte në Kahramanmaraş shkaktuan dhjetëra mijëra viktima dhe shkatërrime në 10 provinca të Türkiye-s dhe në shumicën e zonave të kontrolluara nga opozita në Siri.

Aktivistja libaneze Fawwaz e ndikuar nga pamjet e tërmetit udhëhoqi fushatën e ndihmës që nga 7 shkurti 3 ditë me radhë në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Filantropët nga Libani i dhanë mbështetje të madhe fushatës ku u mblodhën gjëra të nevojshme si rroba, këpuca, batanije, ushqime etj.

Fushatë bamirësie spontane

Aktivistja Sarah Fawwaz duke folur për AA tha se po mbledhin ndihma për të prekurit nga tërmeti në Siri për shkak të afërsisë gjeografike dhe mungesës së ndihmave për rajonin.

“Fushata filloi spontanisht pasi u kuptua se humbjet e jetëve dhe pronave nga tërmeti janë të mëdha”, tha Fawwaz.

Ajo theksoi se nuk priste të merrte kaq shumë përkrahje dhe se libanezët e ndjenë në masë të vogël tërmetin dhe krijuan ndjeshmëri me të prekurit nga tërmeti dhe për këtë shkak ka pasur kaq shumë mbështetje.

Favvaz deklaroi se nuk kanë mbledhur vetëm donacione në kuadër të fushatës, por edhe dhjetëra persona dolën vullnetarë për të mbledhur donacione dhe për të paketuar ndihmat e mbledhura. Sipas saj, ndihmat përqendrohen në batanije, rroba dimërore, këpucë, pelena dhe ushqime.

“Qëllimi është plotësisht njerëzor”

Një mësuese e çerdhes, Jud Shehade që ka mbledhur ndihma tha se kanë vendosur të marrin pjesë në fushatë me kolegët e saj dhe kanë mbledhur ndihma dhe para nga prindërit e nxënësve për viktimat e tërmetit.

Shehade tha se po punojnë për klasifikimin e donacioneve dhe arritjen e ndihmave. “Për shkak të përmasave të fatkeqësisë dhe dhimbjes, qëllimi është tërësisht njerëzor”, tha ajo.

Duke u shprehur se të gjithë po bëjnë përpjekje me ndjenjat e ndihmës humanitare dhe solidaritetit, Shehade shprehu ngushëllimet e saj për familjet e atyre që humbën jetën nga tërmeti dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re