Galeria Kombëtare e Kosovës doli sot përpara medias për të reaguar ndaj protestës së paralajmëruar nga aktivistët për të drejtat e kafshëve, “Vuajtja nuk është art”. Kjo protestë është organizuar si reagim ndaj veprës së Sislej Xhafës, “Tetë lopë Kosove”.

Arta Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës theksoi se për realizimin e kësaj vepre ata janë konsultuar edhe me ekspertë të veterinarisë. Ajo njoftoi se lopët e përdorura në vepër, po mbahen në kushte të mira, sipas rekomandimit të Ministrisë së Bujqësisë, përcjell KosovaPress.

Personat që kanë organizuar protestën, Agani i ka quajtur jo të besueshëm për ta vlerësuar artin, ndërsa i sulmoi duke thënë se ata nuk kanë shkuar për t’i parë kushtet ku po mbahen kafshët dhe as nuk janë konsultuar me stafin.

Pronari i lopëve, Arben Avdiu ka treguar se këto janë lopë ferme dhe sipas tij nuk ka problem pse qëndrojnë të mbyllura. Ai po ashtu ka thënë se lopët janë në mbikëqyrje 24 orë.

Gjatë konferencës, artisti Sislej Xhafa ka dërguar një mesazh të cilin e përcolli drejtoresha Arta Agani. “Unë jam vegjetarian. Ju dua pa e ditur”, thuhet në mesazhin e Xhafës.

Ndërkaq, grupi “Të bashkuar për kafshët” do të mbajë protestë kundër kësaj vepre  në ora 16:30 në oborrin e Galerisë Kombëtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re