Sipas një raporti të lëshuar nga Baronesha Helena Kennedy, aktivistet saudite për të drejtat e grave janë torturuar dhe ngacmuar seksualisht nga hetuesit përderisa vuanin në burgje pa gjykime të drejtë.

Raporti i titulluar “Një njollë mbi liderët botërorë dhe Samiti i G20-tës në Arabinë Saudite: Arrestimi dhe tortura e turpshme e grave saudite”, u lëshua disa ditë më parë.

Sipas raportit, femrat e arrestuara u torturuan dhe u detyruan “të kryenin veprime seksuale për hetuesit dhe forma të tjera të ngacmimeve seksuale, të tilla si detyrimi i tyre për të parë pornografi”.

Shkeljet e pretenduara u kryen kundër aktivistes Aida Al-Ghamdi, e cila ishte “detyruar të shikojë pornografi”, si dhe Loujain Al-Hathloul dhe Eman Al-Nafjan të cilat u “detyruan të kryejnë veprime seksuale për hetuesit”.

Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e botës për të liruar aktivistet e të drejtave të grave që i nënshtrohen “kushteve çnjerëzore dhe degraduese të paraburgimit, izolimit dhe proceseve të padrejta të gjykimit”.

“Përderisa Arabia Saudite përgatitet të mbajë Samitin e vitit 2020 të G20-tës të liderëve botërore në fund të nëntorit, është me rëndësi jetike që bota të ngrihet për ata që ende vuajnë në burgjet saudite”, tha raporti.

Mbrojtësja e të drejtave të njeriut, Baronesha Kennedy, u bëri thirrje liderëve botërorë të bojkotojnë samitin, që do të mbahet në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), me qëllim për të kryer presion mbi Arabinë Saudite për të liruar aktivistet.

“Liderët botërorë dhe vendet e G20-tës nuk duhet të marrin pjesë në Samitin e G20-tës në Arabinë Saudite në fund të nëntorit nëse të arrestuarat nuk lirohen”, tha Kennedy.

Raporti po ashtu kërkoi që për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, të mbahet përgjegjës Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, së bashku me figurat pranë tij, përfshirë vëllai i tij, Khalid bin Salman dhe ish-këshilltari i Oborrit Mbretëror Saudit, Saud Al-Qahtani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re