Ambasadorja e Holandës, Guusje Korthals Altes ka qenë pasditen e sotme në qytetin e Beratit, ku ka marrë pjesë në një aktivitet mbi ndërgjegjësimin e të rinjve mbi parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se aktiviteti që mbështetet nga Ambasada holandeze në Tiranë dhe që do të implementohet në 12 qytete të Shqipërisë, fokusohet në edukimin e ndërgjegjësimin e të rinjve për t’i thënë “stop” këtij fenomeni.

Kanë qenë të rinjtë beratas, nxënës të shkollave të mesme të qytetit, që duke reflektuar mbi fenomenin kanë hedhur në telajo idetë dhe mesazhet e tyre kundër trafikimit. Tablotë e realizuara prej tyre janë ekspozuar përgjatë Pedonales së qytetit si një formë sensibilizimi e ndërgjegjësimi për mbarë opinionin publik.

Ambasadorja e Holandës,Guusje Korthals Altes, pasi ka vizituar ekspozitën e të rinjve nën shoqërimin e kryebashkiakut të Beratit Ervin Demo ka përcjellë 2 mesazhe nga Berati.

“Kam 2 mesazhe, flisni nëse shikoni një rast trafikimi dhe mos i gjykoni asnjëherë viktimat e trafikimi sepse nuk kanë faj por pranojini ato në shoqëri. Mesazhi “stop trafikimit” është shumë i rëndësishëm dhe sensitiv. E vetmja mënyrë për ta ndaluar këtë fenomen është të flasim për të dhe unë mendoj se arti është mënyra më e mirë për të folur për këtë gjë”, tha ajo.

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo ka deklaruar se ajo çfarë është kuptimplotë është që talenti i fëmijëve beratas është ndërthurur me këtë tematikë kaq sensitive për shoqërinë, duke përcjellë mesazhe kuptimplota për këtë fenomen të shëmtuar, që është një plagë e shoqërisë sonë.

(Balkanweb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re