-Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë është organizuar koncerti me titull “Yunus Emre”, me pjesëmarrjen e grupit muzikor “Hayal Trio” nga Turqia.
Koncerti i organizuar nga instituti “Yunus Emre” është mbajtur me rastin e shpalljes së vitit 2021 si “Viti i Yunus Emresë”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe disa kompanive.
Pjesëtarët e grupit muzikor Cengiz Onarci në kanun, Yusuf Ubeydullah Gülaçar në violinë dhe Barış Yağcıoğlu në piano interpretuan për publikun shqiptar në ambientet e Amfiteatrit të Tiranës.
Përveç artdashësve pjesë e koncertit ishte edhe drejtori i institutit “Yunus Emre – Tiranë”, Ömer Osman Demirbaş, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha se pas një kohe të gjatë dëshironin të bënin një aktivitet për poetin Yunus Emre.
“Yunus Emre është një person shumë i njohur, një mendimtar dhe poet shumë i njohur në Turqi. Sigurisht që mesazhi që ai ka transmetuar në vjershat e tij vazhdon të ndriçojë botën. Me temat e tij si dashuria, paqja dhe drejtësia, akoma vazhdon t’i bëjë thirrje njerëzimit për këto vlera universale. Ne kishim shumë dëshirë që vjershat e tij t’i kompozonim në nota muzikore dhe t’i sillnim sonte për ju”, tha Demirbaş.
Ai theksoi se viti 2021 është shpallur nga Presidenca e Turqisë si viti i Yunus Emresë dhe viti i turqishtes.
Grupi muzikor “Hayal Trio” më 28 qershor mbajti koncert edhe në qytetin e Roskovecit të Fierit.
-Nga ana tjetër, Shkolla Verore e Turqishtes për fëmijët e moshave 9-15 vjeç, e cila ka filluar prej disa ditësh dhe që organizohet nga instituti “Yunus Emre” Tiranë, përveç mësimit të turqishtes përfshin edhe aktivitete të ndryshme në sport, pikturë dhe ebru.
Shkolla ka filluar më 28 qershor dhe do të përfundojë më 9 korrik, ndërkohë pjesë e saj janë fëmijë të moshave të ndryshme të cilët e shikojnë këtë shkollë si një mundësi për formimin e tyre, por edhe për angazhimin në aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.
Lediola Kuka, përgjegjëse e Shkollës Verore të Turqishtes në një prononcim mediatik tregon rreth programit të shkollës, aktiviteteve të ndryshme që organizohen dhe interesit që kanë nxënësit.
Ajo shprehet se pas lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19 vendosën të organizojmë një shkollë verore për fëmijët, dhe sipas saj kërkesat kanë qenë të shumta.
Kuka thekson se në fillim nxënësit dy orët e para i kanë mësim të turqishtes dhe deri tani janë realizuar edhe aktivitete për shigjetarinë dhe kursi i pikturës.
“Instituti ‘Yunus Emre’ Tiranë për herë të parë këtë vit organizon Shkollën Verore të Turqishtes me fëmijët nga mosha 9-15 vjeç. Kryesisht synon që fëmijët të mësojnë pak turqisht, por jo vetëm, por edhe të argëtohen me lojëra të ndryshme të cilat ne i kemi organizuar”, tha Kuka.
Ajo u shpreh se deri tani në kuadër të programit të shkollës kanë zhvilluar kursin e pikturës dhe lojëra të ndryshme në ambiente të hapura.
“Është një shkollë verore e cila zgjat prej dy javësh. Javën që vjen do të kemi vizita në institucionet e rëndësishme turke siç janë ambasada, TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) dhe Fondacionin Turk Maarif”, tregon Kuka.
Përmendim se, instituti turk “Yunus Emre” Tiranë përveç kurseve të gjuhës turke që vazhdojnë aktualisht po organizon Shkollën Verore të Turqishtes në bashkëpunim me Bankën Kombëtare Tregtare /BKT.
-Ndërkaq, Avokati i Popullit të Republikës së Turqisë, Şeref Malkoç, në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri pati një takim me Erinda Ballanca, Avokaten e Popullit të Shqipërisë, me të cilën diskutuan mënyrat e bashkëpunimit midis dy institucioneve si dhe shkëmbimin e përvojave midis dy shteteve mike, shqiptare-turke.
Malkoç, së bashku me delegacionin që e shoqëroi, zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë e ambasadës turke në Tiranë, ku u prit nga ambasadori, Murat Ahmet Yuruk. Gjatë kësaj vizite, ai nënshkroi në Librin e Kujtimeve të Ambasadës së Turqisë në Shqipëri.
Po ashtu, Avokati i Popullit të Republikës së Turqisë, Şeref Malkoç vizitoi institutet “Junus Emre” në Tiranë dhe Shkodër, ku vizitoi nga afër aktivitetet arsimore dhe kulturore që zhvillohen në mënyrë permanente në këto të dy qendra turke.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –