Mjeku infeksionist, Erion Dasho, përmes një postimi në facebook, ka ironizuar me daljen e fundit publike të ministers Ogerta Manastirliu, e cila sipas tij me tone emocionale mbajti një fjalim demagogjie të stilit rilindas. Mjeku i kujton ministres vitin 2013, kur ajo mori postin e drejtoreshës në QSUT dhe me një libër menxhimi në dorë, vizioni i vetëm që kishte për spitalin ishte krijimi i një një “website”.

Duke e cilësuar si të paaftë, mjeku Dasho i kërkon ministres që shërbimi më i mirë që mund t’i bënte qytetarëve këto kohë ishte t’ia linte vendin ndonjë tjetri më të aftë.

Postimi i plotë: NJË AKTORE E KEQE NË NJË INTERPRETIM PATETIK

Më erdhi çudi kur një mesazh i një miku më sugjeroi të shikoja një fjalim prej më shumë se një ore të ministres së shëndetësisë për gazetarët.

Sigurisht, duke mos e patur kohën të tepërt dhe duke shfrytëzuar mundësinë që të jep teknologjia shpenzova rreth 5 minuta për të kuptuar se fjalimi ishte demagogji e pastër e stilit rilindas, pa asnjë përmbajtje, të cilin ministrja si aktore mediokre e interpretonte me gjestikulacione dhe një tonalitet zëri thellësisht patetik.

Tema kryesore ishte “do të”, pra nami që do të bëjë ministrja në të ardhmen (ndoshta kur COVID të ketë ikur) dhe çuditërisht lajmi se do të vijnë (përsëri “do të” vijnë) 200 mijë teste për COVID. Kjo pavarësisht se shefi i vet, kryeministri, dje tha se testet kërkojnë ti bëjnë ata që kanë interesa të lidhura me kompanitë farmaceutike dhe se testet nuk kanë vlerë.

Megjithëse bëra edhe një status të shpejtë me këtë temë, miku virtual nuk u kënaq dhe sërish më pyeti “Po për fundin e intervistës çfarë mendon?” Me insistimin e tij se në atë fund interviste ministrja bënte një debat në distancë me ato që kam shkruar e folur unë gjatë muajve të fundit, i pashë edhe 10 minutat e famshme.

Nuk e di dhe as jam i interesuar ta di në se debati ka qënë me mua apo kolegë të tjerë të mi, por ato 10 minuta më lanë një shije shumë të keqe.

Së pari, ministrja duke harruar se nuk jeton as në Bjellorusinë e Lukashenkos dhe as në Korenë e Kim Jong-unit i jepte porosi gazetarëve se kë ekspert duhet të intervistojnë dhe kë jo.

Së dyti, me një falsitet revoltues promovonte mjekët e familjes dhe ata të spitaleve COVID duke theksuar se ata po luftojnë çdo ditë me “armikun e padukshëm” dhe po përballohen me privacione të përshkruara sërish me stil patetik. Këtyre mjekëve ministrja bën mirë t’u dërgojë protokollet dhe t’i trajnojë si t’i përdorin pasi deri tani i ka dërguar në luftë me pushkë me gjalm. Mjekët të ç’orientuar kanë bërë shpesh (shumë herë jo për faj të tyre) gafa duke shkaktuar më shumë dëm se sa dobi

Së treti, midis kolegëve ka mantelbardhë heronj, sikundër ka edhe pazarexhinj që po marrin përqindje nga farmacitë dhe çarterat e Turqisë apo që i kanë kthyer klinikat private në çerdhe spekulimi. Ministrja bën mirë të ndajë miellin nga krundet që gazetarët të mos t’i shërbejnë spekulantëve në vend të engjëjve.

Zonja ministre,

Sot duke ju parë në konferencën për shtyp më kujtuat ata nxënësit e dobët që kur shkruanin ndonjë hartim mediokër, e lexonin me intonacion me qëllim që të preknin zemrën e mësuesit për ndonjë notë më tepër.

Më erdhi keq për orët që kam harxhuar me ju në vitin 2013, kur erdhët si drejtore e QSUT-së dhe mbaje me vete një libër menaxhimi. Mundohesha të sqaroja parimet e menaxhimit shëndetësor dhe rolin e teknologjisë, por më kot se vetmja gjë që kërkove nga qendra e telemjeksisë ishte një faqe interneti. Kaq ishte dhe kaq ngeli “vizioni” juaj në QSUT!

Më shumë keq më erdhi për orët e kaluara në mars 2020 në zyrën tuaj kur mundohesha të mbushtja mendjen tuaj dhe të komitetit se nevojitej përfshirja e mjekëve të familjes në dhënie këshillash telefonike për qytetarët e kthyer nga Italia, për të vendosur një sistem survejance dixhitale, për të filluar trajnimin e mjekëve në spitalet rajonale dhe për të forcuar sistemet e logjistikës. Këto masa, ju dhe komisioni juaj i “heronjve” nuk i keni marrë as sot dhjetë muaj më pas!

Prandaj, zonja ministre, më lejoni t’ju jap një këshillë të tretë dhe qoftë e vërteta.

Ikni dhe lërini vendin dikujt që di të hartojë politika shëndetësore dhe strategji, dikujt që ka aftësi organizative, dikujt që dëshiron t’u shërbejë qytetarëve dhe jo oligarkëve.

Do të bëni mirë t’i kurseni qytetarëve patetizmat dhe t’i lini të jetojnë.

Nuk është vonë…

 

/faxweb

loading...