Kur interpretoja Mashenkën ruse

“Aktorja Margarita Xhepa na dha një figurë të re (dhe sa të ndryshme) në personazhin e Marçelës. Vërejmë se gama e kësaj aktoreje po zgjerohet e pasurohet nga roli në rol. Mjeshtëria artistike dhe forca e saj e brendshme janë rritur shumë. Kthesat e shpeshta komike në marrëdhëniet me Teodorin i ka zgjedhur me lehtësi, por edhe me temperament.

Ajo është plot lirizëm dhe hir kur orvatet ta bëjë xheloz dashnorin e saj, i cili e ka braktisur dhe sidomos në skenën e pajtimit në aktin e dytë kur bëhet ndërmjetës Tristiani, aktorja është me të vërtetë virtuoze…”. Kështu shkruan në vitin 1963 regjisori Mihal Luharasi për rolin e Marçelës, interpretuar nga aktorja Margarita Xhepa në komedinë “Qeni i kopshtarit” me regji të Zina Andrit.

Një rol që edhe pse kanë kaluar më shumë se 50 vjet vazhdon të mbetet i dashur në kujtesën e aktores. “Roli i Marçelës ka qenë roli im i parë në një nga veprat me regji të Zina Andrit. Ishte një rol i bukur, por që e bëri më të bukur e interesant ndihmesa që vetë regjisorja i dha këtij roli. Ajo ndihmonte me këshillat e saj, për të krijuar një karakter sa më të këndshëm…”, thotë aktorja Margarita Xhepa vite më pas. Për të, regjisorja ruse Zina Andri, ishte një fat për teatrin dhe dramaturgjinë shqiptare.

“Ajo është një regjisore që do të mbetet në kujtimet dhe jetën time artistike e paharruar. Ishte tepër e talentuar. Fakti që kishte mbaruar për teatër në një nga shkollat më të mira ruse, e bënte atë të ishte një ndërthurje e përkryer mes aktores dhe regjisores duke i bashkuar bukur të dyja këto aftësi në realizimin e një vepre. Ishte fati ynë që ajo erdhi në Shqipëri”, thotë Xhepa. Me regjisoren Andri aktorja do të interpretonte tre role. Pas Marçelës që do ta bënte figurën e saj më të dashur për spektatorin dhe kritikën, Xhepa do të interpretonte rolin e Majlindës në veprën e dramaturgut Xhemal Broja.

Një rol që i ishte besuar dhe ishte interpretuar fillimisht nga aktorja Besa Imami. “Besa u sëmur gjatë kohës që do të vihej shfaqja dhe u shtrua për pak kohë në spital, kështu që unë zëvendësova interpretimin e saj në rolin e Majlindës. Ishte një rol që e kisha me shumë dëshirë. Kur i thashë Zinës që doja ta interpretoja këtë rol, ajo më dha shumë mbështetje duke më thënë: ‘Shumë bukur bravo, ti mund ta bësh!’.

Gjatë gjithë provave ajo më ndihmoi që ta krijoja siç duhet këtë personazh i cili u prit mirë nga publiku”, kujton Xhepa. Roli i tretë në një regji të Andrit ishte ai i Mashenkës, një vajze të re ruse, një rol tepër i dashur për regjisoren i cili i kujtonte kohët në Rusi. “Zina thoshte se unë dhe ky personazh ishim aq të ngjashme. Unë i ngjasoja aq shumë Mashenkës dhe me fytyrën time të bardhë ngjaja si një ruse.

Më kujtohet një gërshet që kisha si Mashenka. Për të unë isha një gërshetim i aktores me personazhin. E doja shumë atë rol, të cilin Zina më ndihmoi ta realizoja ashtu siç duhet. Zina jepte këshilla të çmuara që për mua si aktore e re atëherë, do më vlenin shumë në karrierën e mëvonshme”, kujton Xhepa. Për të, Zina Andri ishte një artiste e dashur, e cila me punën e saj mjeshtërore do të mbetet gjatë në kujtesë. “Unë e kujtoj me mall dhe me respektin më të madh këtë grua të talentuar që i dha aq shumë teatri shqiptar”, thotë Xhepa.

 

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re