Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari është shprehur se në Shqipëri nuk do të jetë më problem për të çuar zyrtarë të lartë përpara drejtësisë.

Komentet Hajdari i bëri në emisionin “Kjo Javë” në News24, ku ka komentuar ngjarjet më të bujshme të hetuara nga SPAK.
Ai foli edhe lirimin nga qelia të ish-ministrit Saimir Tahiri, arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe skandalin e fundit të ish-kryebashkiakut socialist të Kukësit, Safet Gjicit, për të cilin tha se është më shumë se vepër penale.
“Unë e kam parë nga larg lirimin e Tahirit nga qelia. Nga jashtë arsyetimi duket si një gjë normale. Dënimi i Tahirit, edhe i ish-zyrtarëve të tjerë, këta janë ogurë të mirë dhe i kam pritur. Unë pres nga SPAK goditje persistente të dosjeve që ka në hetim. Nuk do ketë më probleme për të çuar zyrtarë të lartë para drejtësisë, akulli është thyer. Qëllimi i dënimit është rehabilitimi. Si e bëri apo jo atë një vit e gjysmë Tahiri, ai e ka marrë dënimin.
Prokuroria nuk ka pengesë të hetojë për veprimtari të tjera të Dakos. Për atë do hetohet dhe mund të dalin vepra të tjera penale. Hetimet nuk duhen paragjykuar.
Mendoj se në administratë problemi më i madh është korrupsioni. Këtu duhen rregullime ligjore që përgjegjësia të jetë direkte sepse ne akoma procedurat e tenderimeve bëhen nga nivelet teknike të institucioneve. Drejtimi politik nuk është i përfshirë, por kjo histori duhet zgjidhur.
SPAK nuk bën punë operative. Organet e tjera në shtet duhet të bashkëpunojnë me SPAK duke ia bërë prezente rastet. Opozita ka ndihmuar me denoncimet e saj. Një çështje kur nis hetimin, do e ketë një fund. Inceneratorët patën një tendencë për pushim, por tani po hetohet. Jam i bindur se SPAK do jetë histori suksesi në Shqipëri.
Rasti i kryebashkiakut të Kukësit, për hir të masës që mori, nuk ka rëndësi kualifikohet në vepër penale apo jo. Për mua është më shumë se një vepër penale”, u shpreh Hajdari.
