Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është shpallur këtë të hënë fajtor për korrupsion, dhe gjykata e Parisit e ka dënuar me një vit burg.

66-vjeçari, president nga 2007-2012, është dënuar për përpjekjen për të marrë në mënyrë të paligjshme informacion nga një magjistrat i lartë në 2014 në lidhje me një veprim ligjor në të cilin ai ishte përfshirë.

Megjithatë, gjykata tha se Sarkozy do të ketë të drejtë për të kërkuar  masën “arrest shtëpiak”.

Faktet janë “veçanërisht serioze”, pohoi trupa gjykuese, duke qenë se ato janë kryer nga një ish-president duke përdorur statusin e tij për të ndihmuar një gjykatës që i ka shërbyer interesit personal. Përveç kësaj, si një ish-avokat, vijoi gjykata, Sarkozy ka qenë “plotësisht i informuar” për kryerjen e një veprimi të paligjshëm.

Sarkozy do të përballet me një gjyq tjetër më vonë këtë muaj së bashku me 13 persona të tjerë nën akuzat e financimit të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale në 2012.

Kjo është hera e parë në historinë moderne të Francës që një ish-president del në gjyq për korrupsion. Paraardhësi i Sarkozy, Jacques Chirac, u shpall fajtor në 2011 për keqpërdorim të parave publike dhe iu dha një dënim me burg prej dy vjetësh për veprimet në kohën kur ishte kryebashkiak i Parisit.

Çështja Sarkozy

Magjistratët francezë kanë kaluar vite duke hetuar akuzat për korrupsion që datojnë që nga fushatat zgjedhore të Sarkozy deri tek presidenca e tij.

Bëhet fjalë për një hetim të gjatë, lidhur me përdorimin e dyshimtë të fondeve sekrete të politikanit të djathtë për të financuar fushatën presidenciale në 2007.

Prokuroria pretendon se Sarkozy dhe avokati i tij i atëhershëm, Thierry Herzog, kërkuan të korruptonin Gilbert Azibert me një punë prestigjioze në Monako në këmbim të informacionit në lidhje me atë hetim.

Është e njohur si “çështja e përgjimit” në Francë, sepse thirrjet telefonike midis Sarkozy dhe Herzog u përgjuan në 2013-2014.

Sarkozy përdori pseudonimin “Paul Bismuth” dhe ata diskutuan për gjyqtarin Azibert. Mediat franceze raportojnë se Sarkozy u dëgjua duke i thënë Herzog: Unë do ta gradoj atë…

Sarkozy mohon çdo akuzë – dhe ai thekson se gjykatësi Azibert nuk e mori pozitën e Monakos.

“Gilbert Azibert nuk mori asgjë, unë nuk bëra asnjë propozim në emër të tij dhe jam refuzuar nga Gjykata e Kasacionit, ” – tha Sarkozy në vitin 2014.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re