Pas këmbënguljes të së shtunës nga ana e kryedemokratit Basha, se mbas sasisë së eurove që u gjendën në një Toyota mbërritur në portin e Durrësit qëndron Taulant Balla, ky i fundit ka paralajmëruar tjetër padi për kreun e opozitës.  Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të PS Taulant Balla:

“Pas shpifjeve dhe ofendimeve të reja të Lulzim Bashës, tanimë drejtuar gjithë grupit parlamentar, ndërkohë që jemi të bindur se afera e eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht pasi të kapen autorët në kërkim (me të cilët lidhja e PD është antike ndërsa e Lulzim Bashës me ta është së paku fotografike), po vlerësojmë çuarjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda të një padie të tretë, në tre ditë për gojën e tij të përdale totalisht pas vendimit të Këshillit Europian për datën e negociatave.

Është përditë e më e qartë se përfshirja në debatin e baltës e të llumit me të e me partinë e tij, thjesht na bën pis edhe ne duke lodhur e mërzitur shqiptarët”, shprehet kreu i deputetëve socialistë.

Por më tej, Balla jep dhe një paralajmërimin tjetër, që ngjan me nisjen e një strategjie të re të përballjes mes akuzat e opozitës, atë të çuarjes të çdo rasti në gjyq

“…me Lulzim Bashën dhe esadistët e tij ne do të ndjekim gjithnjë e më shumë rrugën gjyqësore të përballjes me shpifjet e ndyra e më genjeshtrat ofenduese të tyre. Ata tanimë duhet të mësojmë të sjellin prova para publikut ose të turpërohen siç e meritojnë në sallat e gjyqeve”, thotë Balla.

A mos është ky një plan për të aplikuar modelin “Bolino” përballë Berishës?

Muaj më parë, gazetari i njohur italian me aktivitet mediatik në Tiranë, Karlo Bolino, fitoi një gjyq për shpifje ndaj ish-kryeminsitrit dhe kreut demokrat Berisha. Bolino e promovoi fort në opinion precedentin e tij, si për të apeluar dhe të tjerë që ta bënin të njëjtën gjë përballë akuzave që vinin nga lidershipi i PD-së. Dhe tani është nr. 2 i PS-së që e shpall diç të tillë.    

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re